19 Janar 2025

Nikoliqi i Parteshit paguan 5.000 EURO gjobë me para të Buxhetit të Kosovës

Partesh, 10 prill - Kryetari i komunës së Parteshit Dragan Nikoliq ka nxjerr nga buxheti i komunës që drejton 5.000 EURO për të paguar gjobën që atij i kishte vënë Inspektorati i Punës.

Telenews.al, ka zbuluar se Nikoliq në muajin shtator 2015 ishte dënuar për mos respektim të ligjit të Punës dhe Udhëzimit Administrativ, meqë e kishte shkarkuar nga pozita e asistentit administrativ Bozidar Periqin që mbante këtë pozitë që nga 2 prilli 2014.

“Është e qartë se vendimin mbi shakrkimin e asistentit administrativ e ka marrë  kryetari i Parteshit Dragan Nikoliq, gjë që nuk është në kompetencë të tij ashtu siç është sqaruar më lartë, kështu që ka shkelur autorizimet e tij”, thuhet në vendimin e inspektorit të punës Tefik Krasniqi.

Gjashtë ditë pas vendimit të inspektorit Krasniqi edhe kryetari Nikoliq kishte marrë një vendim.

Në vendimin e nënshkruar me 8 shtator 2015, kryetari i Parteshit lejon realizimin e pagesës së gjobës që e kishte sjellur Inspektorati i Punës.

“Për zbatimin e këtij vendimi përgjegjës është Departamenti për Buxhet dhe Financa dhe ky vendim hyn në fuqi datën e nënshkrimit nga ana e kryetarit të komunës së Parteshit”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga i pari i Parteshit.

I kontaktuar nga Telenews.al inspektori Tefik Krasniqi e konfirmoi se ndaj kryetarit të Parteshit kishte shqiptuar një gjobë.

“Po ne e kemi shqiptuar një gjobë ndaj personit në fjalë, i njëjti e ka paguar gjobën dhe nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e ankesës”, tha Krasnqi.

Sa për shefin e Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi me rëndësi është që pala e gjobitur e ka bërë pagesën.

“Neve nuk na intereson prej cilave mjete e paguan, ne na intereson me u pagu gjoba, ndërsa rreth asaj se nga cilat mjete është dashtë të paguhet gjoba është organi i tyre mbikqyrës e që është Ministria e Pushtetit Lokal “, tha Ibrahimi për Telenews.al.

Por Ministria e Administrimit të Pushtetet Lokal nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një përgjigje nëse Dragan Nikoliq është dashur ta paguajë gjobën me para të veta apo me ato të shtetit.

“MAPL nuk mund të ofrojë përgjigje lidhur më këtë çështje,  pasi që vendimi është marr nga Inspektorati i Punës bazuar në legjislacionin e punës dhe administratës që vendos për çështje të kësaj fushe. Vendimet e marra nga ky organ i shkallës së fundit në procedurë administrative nuk mund të kundërshtohen në procedurë administrative”, i është përgjigjur kjo ministri portalit Telenews.al.

Megjithëse i janë dërguar pyetje shtesë për sqarimin e kësaj situate, MAPL nuk është përgjigjur më.

Por përgjigje për këtë ka dhënë ish politikani dhe avokati Azem Vllasi, i cili ka thënë se parimi juridik dhe ligjor është nëse dikush dënohet individualisht, personalisht si person fizik ai dënimin me gjobë apo çfardo qoftë duhet ta paguaj vet si person fizik.

“Nëse dënohet kryetari i komunës pa emër është person juridik, nëse thuhet Dragan Nikoliq atëherë ai është person fizik dhe dënimin duhet t’a paguaj nga xhepi i vet”, tha Vllasi për Telenews.al .

E në vendimin e Inspektoratit të Punës ceket qartë emri i Dragan Nikoliqit.

Ky i fundit është kontaktuar disa herë përmes telefonit nga Telenews.al, por nuk është përgjigjur as në telefonata, e as  me shkrim në SMS-të tanë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)