19 Janar 2025

Ngjarjet që e përcollën Kosovën në 2013-n

Prishtinë, 31 dhjetor-  Shumë ngjarje interesante, disa të mira e disa jo të mira e përcollën Kosovën në vitin 2013. Gjatë tërë vitit 2013 lajm në media ishte dialogu në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
 
Vitin 2013 e kanë karakterizuar edhe zhvillime të tjera interesante në skenën politike kosovare. Njëra nga ngjarjet kryesore ishin edhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, të cilat, për mbarëvajtjen e tyre, u vlerësuan lartë nga faktori politik vendor dhe ai ndërkombëtar. Një nga ngjarjet e 2013-s që mund të veçohet si gëzim ishte shpallja e pafajshme e Fatmir Limajt dhe lirimi i shokëve të tij nga akuzat për rastin “Kleçka”.

Ngjarje jo e mirë për vitin 2013 ka qenë edhe lëndimi i ambasadores amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson.
Jacobson ka marrë lëndime në dorë nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, të cilët i kishin bllokuar hyrjet e Kuvendit të Kosovës, për ta shprehur pakënaqësinë e tyre kundër ratifikimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ngjarje jo e mirë për këtë vit që po lëmë pas ishte edhe arrestimi i “Grupit të Drenicës”, të cilët ende po mbahen në burg.
 
Agim Çeku lë PSD-në, kalon në PDK
 

25 janar - Ish-kryeministri i Kosovës, aktualisht ministër i FSK-së, Agim Çeku, iu bashkua edhe zyrtarisht Partisë Demokratike të Kosovës, pas largimit nga posti i kryetarit të Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD).

Librezën e PDK-së atij ia ka dorëzuar kreu i kësaj partie, njëherësh kryeministër i vendit, Hashim Thaçi, në një ceremoni të organizuar në hotelin “Emerald”, në periferi të qytetit të Prishtinës.


Aderimi i Çekut në PDK është mirëpritur nga kryetari i saj, sipas të cilit, Çeku sjell një fuqi të re në këtë parti. Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, kalimin në PDK e ka vlerësuar si bashkim me bashkëluftëtarët e tij. 
Hashim Thaçi rizgjidhet kryetar i PDK-së
 
27 janar - Me vetëm një votë kundër, delegatët e Kongresit VI Zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës rizgjodhën Hashim Thaçin kryetar të këtij subjekti politik. Në votimin për kryetar të PDK-së kishin marrë pjesë 719 delegatë, nga ta 718 kanë votuar pro kandidaturës së Hashim Thaçit, kurse vetëm një delegat ka votuar kundër. Konventa ka zhvilluar punimet për dy ditë radhazi, pa pjesëmarrjen e disa prej figurave kryesore të partisë, në mesin e tyre nënkryetarit të parë të PDK-së, Fatmir Limajt, i cili ndodhej në burg për rastin “Kleçka” dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë, Jakup Krasniqin, i cili e ka akuzuar Thaçin për ngufatje të shtetit dhe të partisë.

Kosova pesë vjet shtet
 
17 shkurt - Kosova këtë vit ka shënuar pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Pesë vjet të pavarësisë së Kosovës janë vlerësuar si periudhë e përballjes me probleme të trashëguara, por edhe vështirësive për rimëkëmbjen ekonomike dhe afrimin me strukturat euroatlantike. Pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosova ndodhet në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë gjatë të cilit synon të gjejë edhe një zgjidhje për situatën në veriun e saj të banuar me shumicë serbe.
 
Krasniqi: S’jam pjesë e strukturave të reja të PDK-së
 
22 shkurt - 2013-a ishte viti kur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kumtuar lajmin për të mos qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të PDK-së që, sipas tij, kishin dalë nga zgjedhjet antisatutore. Krasniqi nëpërmjet një deklarate ka thënë se Kryesia e PDK-së, e emëruar nga një njeri dhe e miratuar me aklamacion (vullnet të detyrueshëm) nga të gjithë, duket si një dhuratë e shefit për të preferuarit e tij, duke renditur në kryesi edhe atë. Por, ai thotë se nuk i pranon “dhuratat” e tilla dhe nuk e nderon radhitja e emrit të tij në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndan poste partiake.
 
Baronesha Ashton viziton dy herë Kosovën
 
14 mars / 10 korrik - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka vizituar brenda vitit 2013 dy herë Republikën e Kosovës. Në vizitën e parë ajo erdhi në Prishtinë me qëllim që t’i lëvizte gjërat përpara për të ardhur deri tek arritja e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ajo është takuar me presidenten Atifete Jahjaga dhe kryeministrin Hashim Thaçi. Baronesha Ashton, pas arritjes së marrëveshjes së 19 prillit, ka vizituar Kosovën më 10 korrik për të dytën herë. Vizita e saj e dytë kishte për qëllim inkurajimin e palëve për vazhdimin e dialogut deri në zbatimin e marrëveshjeve të plota për çfarë edhe ishin marrë vesh në Bruksel Thaçi e Daçiqi.
 
Kadri Veseli zgjedhet zëvendëskryetar i PDK-së
 
26 mars - Kadri Veseli në Këshillin Drejtues të Konventës VI Zgjedhore të PDK-së ka dalë më i votuari me 580 vota. Ende pa u bërë dy muaj nga mbajtja e zgjedhjeve në PDK, Kadri Veseli ishte zgjedhur zëvendëskryetar i këtij subjekti politik. Ai ka marrë këtë detyrë në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së, e cila drejtohej nga kryetari Hashim Thaçi. Në këtë mbledhje të Kryesisë është miratuar Statuti i PDK-së, me vërejtjet e delegatëve të Konventës Zgjedhore të PDK-së, si dhe Rregullorja e Punës për ndarjen e detyrave të Kryesisë së partisë.
 
Kosova dhe Serbia thyejnë “akullin”, arrijnë marrëveshjen
 
19 prill - Pas dhjetë rundesh bisedash në Bruksel, ishte arritur marrëveshja e përbërë nga 15 pika për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Brukseli, nën ndërmjetësimin e shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Catherine Ashton.
Marrëveshja Kosovë - Serbi është nënshkruar ndaras nga udhëheqësit e delegacioneve të të dy vendeve. Në prani të baroneshës Ashton, i pari marrëveshjen e ka firmosur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Pas tij të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryeministri serb Ivica Daçiq. Marrëveshja e arritur në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daciq, është vlerësuar lart nga vetë baronesha Ashton, e cila pati deklaruar se tanimë të dyja shtetet do të jenë më afër Evropës.
Arritja e marrëveshjes Kosovës - Serbi për normalizimin e marrëdhënieve është përshëndetur edhe nga shumë personalitete të politikës botërore. Kështu që, me arritjen kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia kanë nisur një epokë të re bashkëpunimi.
 
Ramush Haradinaj rizgjidhet në krye të AAK-së
 
5 maj - Ramush Haradinaj u rizgjodh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilën e drejton që nga themelimi i saj. Mbi 400 delegatë të kësaj partie votuan për zgjedhjen e Haradinajt kryetar, që ishte edhe kandidati i vetëm për këtë post. Duke falënderuar delegatët, Haradinaj ka thënë se Kosovës i duhet një ndryshim i madh në qeverisje, duke vënë në radhë të parë interesat e qytetarëve. Haradinaj ka thënë se Kosova i ka mundësitë më të mëdha ekonomike në rajon dhe së këndejmi zhvillimi ekonomik duhet të jetë përparësi e institucioneve, për t’i dhënë fund varfërisë dhe papunësisë në vend.
 
Arrestohet “Grupi i Drenicës”
 

31 maj - Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it i kanë arrestuar shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së në orët e vona të së premtes. Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli ndodheshin në arrest shtëpiak qysh më 25 maj, me vendim të Gjykatës së Apelit. Shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së nga rajoni i Drenicës janë dërguar në paraburgim mesnatën e së premtes. Kjo ka ardhur pasi Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendimin mbi ankesën e prokurorit me të cilin është ndryshuar masa e para një jave e arrestit shtëpiak me masën e paraburgimit.
Prokurori Maurizio Salustro Salustro pretendon se shtatë personat kanë kryer krime lufte në një qendër ndalimi në fshatin Likovc të Skenderajt. “Grupi i Drenicës” është duke u mbajtur në paraburgim.
 
Kosova bëhet me pasaporta biometrike
 
13 qershor - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka lëshuar në 2013-n pasaportat biometrike me dizajn të ri. Faqja e personalizimit e të dhënave do të jetë me ngjyra. Me këtë rast, MPB-ja ka plotësuar kriterin e kërkuar nga Bashkimi Evropian për sigurinë e dokumenteve të udhëtimit për vitin 2014, pasi pjesa elektronike e prodhimit të pasaportave është e teknologjisë së fundit. Po këtë vit Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar edhe letërnjoftimet biometrike.
 
Lëndohet ambasadorja Jacobson
 
27 qershor - Lëvizja Vetëvendosje! ka filluar demonstratën kundër ratifikimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë në Kuvendin e Kosovës. Aktivistët e kësaj lëvizje kanë dalë përpara institucioneve kryesore në Prishtinë për të protestuar kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ata kanë bllokuar hyrjen e Kuvendit, për të mos i lejuar deputetët të futen në Kuvend. Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson, duke u ikur protestuesve ishte lënduar në dorë. Jacobson ka publikuar në profilin e saj në rrjetin social “Twitter” një foto me të cilën tregonte lëndimet e marra në krahun e saj ditën e ratifikimit të paktit Kosovë - Serbi në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i patën dënuar veprimet e aktivistëve të Vetëvendosje!-s, të cilët kishin tentuar ta pengonin ambasadoren amerikane të hynte në Kuvendin e Kosovës.

NATO: FSK-ja ka arritur kapacitetin e plotë operacional

 
9 korrik - Këshilli Veri-Atlantik NATO këtë vit që lamë pas ka dhënë vlerësim se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur kapacitetin e plotë operacional dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të përcaktuara brenda mandatit të saj dhe të standardeve të përcaktuara nga NATO-ja.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në deklaratën e tij për media pati uruar të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për të arriturat me këtë hap. Ai i ka falënderuar të gjithë pjesëtarët e KFOR-it për atë që kanë bërë për ta ndihmuar ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Krerët e institucioneve të Kosovës e kanë përshëndetur vendimin e Këshillit të Ambasadorëve të NATO-s për deklarimin e arritjes së Kapacitetit të Plotë Operacional për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Ky deklarim i NATO-s, sipas tyre, ishte dëshmi e rritjes së profesionalizmit dhe kontributit të FSK-së në forcimin e sigurisë të gjithë popullit të Kosovës, pa dallime etnike.
 
Kryeministri Rama vizitoi Kosovën
 

13 shtator - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga një pjesë e kabinetit të tij qeveritar, nisi vizitën e parë zyrtare në Kosovë. Ai është pritur nga homologu i tij, Hashim Thaçi, me një ceremoni shtetërore në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ndërsa Kuvendi i Kosovës, me rastin e vizitës së kryeministrit Rama, ka mbajtur një seancë solemne. Të dy kryeministrat kanë mbajtur edhe një konferencë të përbashkët për media, me ç’rast janë zotuar për ta vazhduar edhe më tutje bashkëpunimin ndërmjet të dyja shteteve. Kryeministri Rama ka vlerësuar arritjet e Kosovës gjatë këtyre pesë vjetëve demokraci, duke shtuar se Kosova ka çfarë t’i mësojë Shqipërisë. “Unë e shoh sot Kosovën si një shtet 5 vjeç që ka çfarë t’i mësojë shtetit 101 vjeç, të cilin Qeveria jonë e përfaqëson. Një shoqëri që ka bërë progres të jashtëzakonshëm në shtetndërtim dhe hapësirë ku funksionon më mirë se në Shqipëri demokracia e çdo dite”, ka thënë Rama.
 
Limaj me shokë rishpallen të pafajshëm

 
17 shtator - Gjykata Themelore e Prishtinës për herë të dytë ka shpallur të pafajshëm në rastin “Kleçka” Fatmir Limajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij, Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi, Behlul Limaj, Refki Mazreku, Naser Shala, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj. Trupi gjykues ishte i përbërë nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një gjyqtar kosovar.
Limaj është liruar nga të gjitha akuzat për krime të luftës, me të cilat akuzohej nga prokurori i EULEX-it, Mauricio Salustro. Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Malcolm Simons i EULEX-it, ka deklaruar se në raport me Limajn nuk kishte asnjë argument fajësues dhe se të gjitha provat e kanë vërtetuar pafajësinë e tij. Pas më shumë se tre vjet përballjeje me akuza tepër të rënda dhe të paargumentuara ndaj Limajt, më në fund e ka fituar pafajësinë e dytë në këtë rast.
 
Hapja e negociatave për MSA-në, ditë historike
 
28 tetor - Kosova ka filluar zyrtarisht më 28 tetor negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit (MSA). Ky hap, sipas Qeverisë së Kosovës, shënoi një fazë të re në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në procesin e integrimeve.
Ndonëse ishte paralajmëruar se në Prishtinë do të qëndrojë komisionari i BE-së për zgjerim, Stefan Fyle, delegacioni nga Komisioni Evropian është kryesuar nga zëvendësdrejtori në Drejtorinë e Përgjithshëm për zgjerimin, Jost Korte.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nisjen e negociatave për MSA-në e ka cilësuar moment historik me ç’rast, sipas tij, Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO.
Edhe presidentja Atifete Jahjaga fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për MSA-në e ka cilësuar hap të rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian. Me marrëveshjen e Stabilizim Asocimit Kosova përfiton më së shumti në aspektin tregtar, që do të thotë hiqen barrierat doganore ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ndërsa në aspektin politik, me marrëveshjen për MSA-në, Kosovës i hapen dyert për ta vazhduar procesin deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
 
Naim Tërnava rizgjidhet kryetar i BIK-ut

 
31 tetor - 2013-a ishte vit i mirë për myftiun e Kosovës. Naim Tërnava është rizgjedhur për mandatin e tretë pesëvjeçar kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Me shumicë votash, Kuvendi i BIK-ut ka vendosur për t\'ia dhënë mandatin e tretë Tërnavës, me ç’rast është përmbyllur një proces shumë i debatueshëm i zgjedhjeve në këtë bashkësi. Kundërshtarët e Tërnavës e akuzonin atë se kishte përgatitur terrenin për rizgjedhjen e tij, duke ndryshuar kohë më parë Kushtetutën e Bashkësisë Islame.
 
Kosova kalon testin me zgjedhjet lokale

3 nëntor - Kosova më 3 nëntor ka mbajtur zgjedhjet lokale në të gjithë territorin e Kosovës, për herë të parë prej pas luftës edhe në pjesën e veriut. Me këto zgjedhje lokale Kosova ka kaluar testin ndërkombëtar, pasi mori një vlerësim pozitiv nga e gjithë bota.

\"Epoka e re\" 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)