Nga sot nis formimi i institucioneve te reja, konstituohet Kuvendi
Prishtinë, 22 mars - Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot seancën konstituive në të cilën do të behët dhënia e betimit të deputetëve si dhe zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.
Para betimit dhe zgjedhjes se krytarit te Kuvendit do të formohet Komisioni i përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve.
Nga zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese ku do të ketë 58 vende, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 19, Lidhja Demokratike e Kosovës me 15, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.
Kryetari i ri i parlamentit, që do të zgjidhet sot bëhet automatikisht ushtrues detyre i presidentit.
Lëvizja Vetëvendosje nuk pret të përballet me vështirësi për formimin e qeverisë, për miratimin e së cilës duhen të paktën 61 vota. Por, sfiduese është zgjedhja e presidentit për shkak të votave që kërkon.
Kjo lëvizje, që e ka kandiduar ushtruesen aktuale të detyrës së presidentit, zonjën Vjosa Osmani për këtë post, takoi përgjatë javës që po e lëmë pas të gjitha partitë politike për të diskutuar mbi formimin e institucioneve të reja, por nuk ka siguruar mbështetje për postin e presidentit.
Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike të veprojnë në mënyrë konstruktive, të punojnë bashkë për interesat e përbashkëta dhe t’i vendosin nevojat e qytetarëve përmbi interesat politike.