Nga numërimi i 98,25 për qind te votave, VV fiton 48,17 për qind
Prishtinë, 15 shkurt - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vazhduar me publikimin e rezultateve preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.
Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare elektronike të KQZ-së bëjnë të ditur se nga rreth 98,25 për qind të votave të proceduara, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin më të madh të votuesve, apo 48,17 për qind.
Pas saj nga votat e numëruara deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është e dyta me 17,35 për qind të votave, ndërsa partia e cila deri më tash ka qenë në Qeverinë e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka 13,18 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sipas këtyre rezultateve është në vendin e katërt me 7,42 për qind të votave të numëruara, ndërsa, sipas rezultateve të deritanishme, partitë tjera nuk kanë arritur ta kalojnë pragun prej 5 për qind për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.
Sa i përket partive të komuniteteve joshumicë, prinë Lista Serbe, me 5,24 për qind të votave të numëruara deri më tani.
Më herët gjatë ditës, në një konferencë për media, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se “Kosova sot tregoi shembull se si duhet të organizohen zgjedhje, pavarësisht sfidave të shumta”.