Nga nesër do të bëhet regjistrimi i deputetëve të Legjislaturës së VIII
Prishtinë, 16 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e Legjislaturës VII, është mbledhur sot nën drejtimin e kryeparlamentares dr. Vjosa Osmani, për të diskutuar lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Legjislaturës VIII të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të Legjislaturës VIII.
Kryetarja Osmani bëri të ditur se seanca konstituive e Legjislaturës VIII të Kuvendit do të mbahet të hënën, më 22 mars 2021, në orën 10:00.
Ajo njoftoi se seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i shoqëruar nga deputeti më i ri.
Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.
Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, po ashtu u përcaktuan edhe ulëset për grupet parlamentare.
Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar (Vetëvendosje), do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (PDK), në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (LDK), në anën e majtë të kryesuesit.
Përcaktimi i ulëseve për grupet e tjera do të bëhet gjatë ditëve në vijim.
Kryesia e Kuvendit vendosi gjithashtu që më 17 – 19 mars të bëhet regjistrimi i deputetëve të Legjislaturës së VIII