Nga 552 premtime te kryetarëve të komunave janë përmbushur 105
Prishtinë, 15 janar - Instituti GAP ka organizuar sot konferencë për media Shkalla e realizimit të Premtimeve Parazgjedhore nga Kryetarët e Komunave gjatë vitit të parë të mandatit qeverisës, ku ka prezantuar ecurinë e realizimit të premtimeve zgjedhore të dhëna nga ana e kryetareve të komunave gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit lokale.
Nga 552 premtime të dhëna nga 30 kryetar të komunave rezulton se plotësisht të përmbushura janë 105 premtime, 56 premtime janë përmbushur pjesërisht, ndërsa akoma te pa përmbushura rezultojnë 390 premtime zgjedhore.
Matja e realizimit të premtimeve nga ana e GAP është bere nëpërmjet ngritjes së një platforme të veçantë elektronike dhe publike e cila vlerëson punën për secilën komunë. Përveç në sferën e premtimeve zgjedhore, platforma për komuna ofron të dhëna statistikore në fushën e shpenzimeve të buxhetit, të hyrave komunale, numrin e të punësuarve nga listat komunale, numrin e bizneseve sipas funksioneve që kryejnë, duke përfshirë edhe trendin e bizneseve të reja dhe atyre të shuara, çështjet sociale nëpër komuna, ku përfshihen numri i familjeve nën asistencën sociale, numrin e personave pa strehim.
Butoni i statistikave njëherazi ofron të dhëna për sferën e urbanizimit, ku përfshihet përqindja e zonave që mbulohen me plane rregulluese, përqindja e rrugëve lokale që pastrohen gjate sezoneve, përqindja e vendbanimeve që janë finalizuar me rrjet të kanalizimit, ujësjellësit dhe rrugëve të asfaltuara, numri i parkingjeve publike, si dhe përqindja e pagesës se ujit dhe mbeturinave sipas komunave.
Agron Demi (GAP) gjatë konferencës ka paraqitur të dhënat e detajuara në lidhje me ecurinë e përmbushjes se premtimeve për vitin e parë të mandatit nga ana e Kryetareve të komunave.
Nga gjithsej 552 premtime të dhëna nga ana e Kryetareve të komunave, 95 janë dhëna nga sfera e infrastrukturës, 93 u takojnë politikave publike, 71 në fushën e arsimit, 47 në fushën e bujqësisë, 67 u takojnë shërbimeve publike, 55 zhvillimit ekonomik, 27 shëndetësisë, 24 në sport, 25 sociale, 18 kulturë, 4 për ambient, 7 në arkeologji, 4 për investime të huaja dhe 15 premtime janë dhënë në fushën e turizmit ka pohuar Demi.
Ky i fundit ka specifikuar se gjatë vlerësimit të bërë ka dal në pah se përqindja me e madhe e premtimeve të realizuara janë nga sfera e infrastrukturës, arsimit dhe bujqësisë.
Nga 105 premtimet e realizuara gjatë vitit të parë të mandatit rezulton se 27 premtime janë përmbushur nga fusha e politikave publike, 23 në infrastrukturë, 13 në arsim, 14 në bujqësi, 8 në shërbime publike, 6 në zhvillim ekonomik, 3 në shëndetësi, 2 në sport, 5 në sociale, nga 2 premtime janë përmbushur në kulturë dhe arkeologji dhe 1 në turizëm ka potencuar mes tjerash Demi.
Ndërkaq Bekim Salihu (GAP) ka prezantuar për secilën komunë nivelin e përmbushjes se premtimeve zgjedhore.
Nga vlerësimi një vjeçar i bëre rezulton se numrin më të madh të premtimeve zgjedhore e ka përmbushur komuna e Hanit të Elezit dhe komuna e Deçanit. Komuna e Hanit të Elezit 33% të premtimeve të përmbushura, Komuna e Deçanit 31%, Malisheva 30%, Prishtina 30%, Mitrovica 29%, Graçanica 27%, Drenasi 26%, Podujeva 26%, Ferizaj 23%, Kaçaniku dhe Shterpca nga 22%, Skenderaj 21%, Vushtrria 20%, Rahoveci 20%, Gjakova, Obiliqi dhe Gjilani nivelin e përmbushjes se premtimeve aktualisht në 18%, Shtime 17%, Fushë Kosova, Lipjani, Novobërda dhe Peja me nga 16%, Vitia, Dragashi, Kamenica dhe Istogu me nga 15%, Klina 13%, Suhareka 8%, Prizreni 6%, Juniku 4%.
Salihu gjithashtu ka treguar metodologjinë e nxjerrjes së premtimeve zgjedhore si mënyrën e vlerësimit të bërë në përqindje për secilin premtim. Ky i fundit ka informuar mediat se instituti GAP do të bëjë në vazhdimësi vlerësimin mbi nivelin e përmbushjes së premtimeve zgjedhore të dhëna nga kryetarët e komunave dhe në mënyrë periodike do të dal me raporte përkatëse, deri në fund të mandatit të kryetarëve, kur pritet që GAP të dal me vlerësim final në lidhje me nivelin e përmbushjes se premtimeve zgjedhore.