Nesër publikohen vendimet për ankesat e partive
Prishtinë, 15 dhjetor - Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nisur shqyrtimin e 171 ankesa për parregullsi të depozituara nga subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare.
Kryetari i këtij paneli, Shukri Sulejmani, deklaron se disa prej ankesave janë mjaft serioze. Kreu i PZAK-së nuk pranoi të flasë se deri në çfarë shkalle serioziteti janë këto ankesa, dhe nëse për to paneli do të marrë vendim për anulimin dhe përsëritjen e votimeve në ndonjë lokalitet.
Sipas Sulejmanit, sot nuk do të merret asnjë vendim, pasi paneli pret afatin prej 72 orësh, pra deri të enjten në orën 19:00, për të publikuar të gjitha vendimet.
Në rast se subjektet politike nuk do të pajtohen me vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ato mund të ankohen në shkallën e dytë në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu ka afat 72 orë kohë për të marrë vendim.