Nesër pritet shpërndarja e Parlamentit të Kosovës
Prishtinë, 6 maj - Liderët e partive më të mëdha në Kosovë kanë vendosur për nesër të mbajnë seancën e jashtëzakonshme për shpërndarjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Në seancën e nesërme pritet të ketë dy zhvillime ose mocioni për rrëzimin e qeverisë ose mocioni për shpërbërjen e Parlamentit. Vetëvendosje! dhe partitë serbe janë shprehur kundër shpërbërjes së Parlamentit.
Ndryshe, gjatë orëve të paradites, kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar indirekt se do të shpërndahet Parlamenti dhe se votimi për shndërrimin e FSK-së në FAK dhe çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet, do të lihet për legjislaturën e ardhshme.
Një Parlament që smund ta formojë ushtrinë e vetë, është e pakuptimtë të ekzistojë, ka thënë Thaçi. Ai tha se ushtria e Kosovës nuk u votua për shkak të etheve elektorale të disa partive.
Formimi i FAK-ut mbetet për legjislaturën e ardhshme, ka konfirmuar Ramush Haradinaj, pas përfundim të takimit.
Për nesër është paralajmëruar një takim tjetër i liderëve politikë për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Ndërsa për vendimin që Kuvendi të shpërndahet janë të nevojshme më shumë se 80 vota, pra të dy të tretave të përbërjes së tij, lideri i AAK-së kërkon rrëzimin e Qeverisë, si alternativë, por nuk ka kundërshtuar as format e tjera që në zgjedhje të shkohet sa më parë. Kryeministri aktual dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ndërkaq kërkon që zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbahen më 8 qershor.