Nesër përmbyllet procesi i numërimit të votave me kusht
Prishtinë, 17 qershor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 40-të në vitin 2014, të kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka.
Në këtë mbledhje, koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve, Burim Ahmetaj, paraqiti para KQZ-së raportin e kësaj qendre.
Ahmetaj bëri të ditur se mëngjesin e sotëm ka filluar numërimi i Votave me Postë, Votave me Kusht dhe Votave të Personave me Nevoja të Veçanta, dhe se procesi është jashtëzakonisht transparent, pasi janë ftuar subjektet politike dhe vëzhguesit ndërkombëtarë për të parë nga afër procesin e numërimit.
Sipas Ahmetajt, procesi i numërimit pritet të përmbyllet gjatë ditës së nesërme.
Gjatë kësaj mbledhjeje, QNR paraqiti edhe raportin me rekomandime për rinumërimin e 18 kutive të votimit për shkak të mospërputhjes së të dhënave të subjekteve politike dhe 421 kutive të votimit për shkak të mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve.
KQZ vendosi për rinumërimin e këtyre kutive të votimit.