18 Janar 2025

Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e Korpusit të Paqes në Kosovë

Prishtinë, 9 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim drejtoreshën e Korpusit Amerikan të Paqes, Znj. Helen Lowman, e cila shoqërohej nga ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, zonja Tracey Ann Jacobson.

Me këtë rast, Presidentja Atifete Jahjaga dhe ambasadorja Tracey Ann Jacobson nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.

Në një deklaratë për media pas takimit, Presidentja Jahjaga tha se në emër të Republikës së Kosovës, sot ka nënshkruar me Peace Corps nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një marrëveshje bashkëpunimi që e lanson programin e tyre në Kosovën.

Kjo marrëveshje sipas saj shënon një hap të rëndësishëm që i kontribuon bashkëpunimit të dy popujve tanë në fushën e arsimit dhe kulturës dhe i forcon lidhjet tona miqësore.

Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës. 

Jahjaga theksoi se marrëveshja e Korpusit te Paqes është një platformë bashkëpunimi mbi të cilën Kosova do të jetë shtëpia e vullnetarëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të integrohen në shoqërinë tonë dhe punojnë në fushën e arsimit, kulturës, ambientit dhe zhvillimit të përgjithshëm.

"Korpusi i Paqes dhe Ambasada e ShBA-se në Prishtinë, krahas institucioneve të ndryshme të Kosovës, kanë dhënë kontribut te çmuar në realizimin e kësaj marrëveshje dhe unë dua t'i falënderoj përzemërsisht për këtë kontribut që kanë vendosur ta sjellin në Kosovë", theksoi ajo.

Kjo marrëveshje sipas saj vulos marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve tanë, të cilët kanë zgjedhur rrugën e paqes, prosperitetit dhe demokracisë.

Ndërsa, drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Znj. Helen Lowman, ka faleminderuar për mirëpritjen në Kosovë për te dhe për të gjithë stafin e Korpusit të Paqes.

"Jam shumë e lumtur që jemi këtu sot në Kosovë, që të përfaqësoj Korpusin e Paqes, përderisa po e inaugurojmë hapjen e programit të ri të Korpusit të Paqes në Kosovë", theksoi Lowman.

Kjo ditë sipas saj shënon shtetin e 140 prej themelimit të kësaj agjencie në vitin 1961.

"Gjatë 52 viteve të fundit ju jemi përkushtuar parimeve themeluese tona dhe kemi gjetur edhe mënyra të reja inovative për të arritur misionin tonë. Jemi të lumtur që Republika e Kosovës ka kërkuar vullnetarë nga Korpusi i Paqes për të punuar me kosovarët dhe komunitetet vendore të Kosovës", pohoi ajo.

Lowman tha me tutje se suksesi i Korpusit të Paqes ndërtohet në shkëmbimin e ideve ndërmjet njerëzve në nivelin themelor, sepse së bashku vullnetarët e Korpusit të Paqes dhe kosovarët nga të gjitha fushat do të shkëmbejnë përvojat e tyre, njohuritë e tyre dhe do të rrisin mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe kulturave tona.

Një prej mënyrave se si Korpusi i Paqes po lëviz në shekullin 21 është duke shtrirë partneritetin strategjik tonin që ndikon që çdo dollar të shpenzohet siç duhet.

"Ne besojmë në një qasje gjithëqeverisëse në të gjitha politikat tona globale dhe jemi shumë mirënjohës që kemi përkrahjen e miqve dhe kolegëve tanë nga USAID-i si dhe nga Departamenti i Shtetit", nenvizoi me tutje Lowman.

Si Korpus i Paqes edhe USAID-i është themeluar nga Presidenti Kenedi për të reflektuar vlerat më të mira amerikane.

Me kontributin e USAID-it dhe Departamentin e Shtetit, Korpusi i Paqes në Kosovë shpreson të themelojë një program të gjallë dhe të qëndrueshëm.

"Mirëpresim arritjen e grupit të parë të 20 vullnetarëve verën e ardhshme, të cilët do t’ju bashkëngjiten më shumë se 210.000 amerikanëve që kanë shërbyer në Korpusin e Paqes", tha ajo.

Përderisa vullnetarët e parë në Kosovë do të përqendrohen në mësimdhënien e gjuhës angleze ata po ashtu do të mundohen që të mbështesin komunitetin në çfarëdo mënyrë që mund ta ndihmojnë; si mentorë të të rinjve; trajnerë të basketbollit apo të dramës dhe teatrit, por edhe si miq, që është më e rëndësishmja.

Të gjithë vullnetarët e Korpusit të Paqes kanë fatin që t’ju shërbejnë të tjerëve dhe ne e dimë se edhe ata marrin po aq shumë nga mikpritësit e tyre, po aq sa mund t’ju japin komuniteteve.

Drejtori i ri për Kosovën Stephen Kutzy ka arritur në Kosovë dhe po fillon lansimin e këtij programi të mirë.
 


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)