Nënshkruhet deklarata për rritjen e përfshirjes së grave në zgjedhje
Prishtinë, 16 shtator - Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) organizon sot ceremoninë e nënshkrimit të Deklaratës për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore.
Nuk ndodhë shpesh që subjektet politike të jenë dakord për të trajtuar bashkërisht një çështje të interesit të përgjithshëm shoqëror, siç është barazia gjinore në procese zgjedhore.
Por, kësaj radhe të gjitha partitë kanë treguar gatishmëri që të rritet përfshirja e grave në procese zgjedhore, dhe të nënshkruajnë një deklaratë, ku zotohen për këtë përgjegjësi.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të deklaratës do të jenë prezentë përfaqësues të subjekteve politike, si dhe përfaqësues të institucioneve, ambasadave të akredituara në Kosovë, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.
Nënshkrimi i Deklaratës për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore është njëri nga shumë aktivitetet që D4D ka zhvilluar në bashkëpunim me Fondacionin Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), financuar nga Agjencioni për Zhvillim Ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara (USAID) me qëllim të sensibilizimit të shoqërisë për përfitimet në pjesëmarrjen e barabartë gjinore në proceset zgjedhore.