18 Maj 2024

Nënshkrimi pa kushte i Traktatit të paqes, mundësi për konflikt të ri

Prishtinë, 4 janar - Nënshkrimi i Traktatit të paqes me Serbinë, pa plotësimin e kushteve nga kjo e fundit, siç është njohja e Kosovës, ndryshimi i kushtetutës, zbardhja e fatit të të pagjeturve dhe kompensimi i dëmeve të luftës, krijon kushte për një konflikt të ri.

Kështu është shprehur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për media.

Ai tha se me Serbinë që ka ende fytyrë të pushtetit të Millosheviqit, nuk mund të ketë traktat paqeje.

Një takim i mundshëm mes presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe atij të Serbisë Tomisllav Nikoliq, i cili mund t’i paraprijë nënshkrimit të traktatit të paqes, kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Glauk Konjufca nga kjo lëvizje në një konferencë për media tha se nuk mund të ketë paqe derisa Serbia, nuk kërkon falje për krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, nuk pendohet dhe për më tepër, financon dhe organizon strukturat ilegale në veri të vendit.

“Çdo nënshkrim i një marrëveshje ku Serbia nuk i bën këto ndryshime, nuk e njeh Kosovën, i financon strukturat e MUP-it në Kosovë, edhe ti po nënshkruan një Traktat që po e quan të paqes, kjo është farsë, kjo nuk është paqe. Kjo është investim për konflikte të ardhshme në rajon, për çka më së paku kemi nevojë edhe ne edhe Evropa si e tillë”, tha Konjufca.

Një takim mes presidentes së Kosovës dhe presidentit të Serbisë është paralajmëruar nga mediat se do të zhvillohet në Bruksel, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine Ashton.

Në këtë takim pritet të prezantohet ideja për nënshkrimin e një Traktati të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbante firmën e të dy presidentëve, me të cilin pretendohet të shtyhet përpara normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Në konferencën për media, drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje folën edhe për vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës mbi pronësinë e Manastirit të Deçanit dhe vizitën eventuale të zyrtarëve të Serbisë në këtë manastir, me rastin e Krishtlindjes Ortodokse. Sekretari i përgjithshëm i kësaj lëvizje, Dardan Molliqaj, i bëri thirrje Qeverisë që mos t’i lejojë zyrtarët serbë të hyjnë në Kosovë.

“Çdo vizitë e përfaqësuesve të serbëve në Kosovë është e papranueshme për neve si Lëvizje dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm një gjë të tillë me të gjitha metodat që ne i përdorim si subjekt politik”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se Vetëvendosje është duke biseduar me organizatat e shoqërisë civile ne Deçan që për ta pamundësuar një vizitë të zyrtarëve serbë në Manastirin e Deçanit. Vizitat e tilla, sipas Molliqajt, e provokojnë dhe rrezikojnë historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

\"I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që mos të lejojë asnjë vizitë të zyrtarëve të shtetit të Serbisë në Kosovë. Çdo vizitë e përfaqësuesve të Serbisë në Kosovë është e papranueshme për ne dhe sigurisht që do ta kundërshtojmë fuqishëm një gjë të tillë\", ka pohuar ai.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)