21 Janar 2025

Nënshkrimi i MSA-së mund të shtyhet

Prishtinë, 18 korrik - Njohësi i proceseve evropiane, Emrush Ujkani, ka thënë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) nuk do të mund të ndodhë në fund të muajit korrik, meqë kjo çështje nuk është temë e diskutimit as në Kosovë e as në Bashkimin Evropian.

“Nuk do të mund të ndodhë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit deri në fund të korrikut për arsye se kjo nuk është temë e diskutimit, as e diskursit politik në Kosovë, as brenda Bashkimit Evropian. Prandaj, nënshkrimi i saj do të mund të ndodhë vetëm nëse do të kemi konstituim të institucioneve tona të reja të dala nga zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit”, ka thënë Ujkani .

Po ashtu, ai ka treguar se në këtë drejtim duhet të kihet parasysh se Bashkimi Evropian është në një proces të brendshëm zgjedhor. Në këtë kontekst, ai ka thënë se njoftimi që është bërë, se mund të ketë nënshkrim ose përafrim të MSA-së në fund të korrikut, është dhënë nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ndërsa Bashkimi Evropian ende nuk është deklaruar lidhur me këtë.

“Kushti i parë që duhet të plotësohet është të formohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 8 qershorit dhe kjo do të ndodhë gjithsesi. Dhe e dyta, përderisa Bashkimi Evropian ende nuk është deklaruar rreth një diçkaje të tillë, mendoj se ka ende shumë gjëra për t’u kryer në praktikë. Prandaj, konsideroj se ende nuk janë pjekur kushtet për nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Pra, nënshkrimi i MSA-së, po të ndodhte dikur në vjeshtë, kah shtatori ose tetori, do të ishte diçka optimale”, ka deklaruar Ujkani.

Sipas tij, mosnjohja nga pesë vendet e BE-së nuk do të paraqesë problem për nënshkrimin e MSA-së.

“Nuk pres të ketë pengesa nga pesëshja e BE-së që nuk e ka njohur shtetin e Kosovës për arsye se modaliteti që është zgjedhur për ta nënshkruar MSA-në me Kosovën është i ndryshëm nga vendet e tjera. Prandaj, i njëjti nuk do të kërkojë ratifikim brenda parlamenteve të shteteve të BE-së dhe kjo marrëveshje do të nënshkruhet nga institucionet e BE-së, prandaj nuk pres të ketë ndonjë befasi ose pengesë”, është shprehur Ujkani.

Por njohësi tjetër i proceseve evropiane, Avni Mazreku, ka thënë se pesëshja e Bashkimit Evropian ka rol në nënshkrimin e MSA-së e cila, sipas tij, duhet të ratifikohet nga parlamentet e vendeve anëtare.

“Në këtë rast dihet se janë pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën dhe këto shtete kanë rol në vendimmarrjen e BE-së sepse çdo konkludim kontraktual i BE-së kërkon edhe konsensusin e shteteve anëtare”, ka thënë Mazreku.

Sipas tij, përkufizimi i MSA-së nuk është ashtu siç është paraqitur dhe siç është kuptuar nga opinioni i gjerë publik sepse MSA-ja i ka disa momente në fazën e konkludimit të saj.

“Faza e parë është faza e negocimit që, në fakt, Kosova e ka kryer. Faza e dytë është faza e nënshkrimit që Kosova nuk mund ta nënshkruajë këtë marrëveshje për shkak se pozicioni i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën është neutral. Pra, BE-ja nuk e ka njohur sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk mund ta konsiderojë Kosovën si palë kontraktuale sepse i mungon Kosovës sovraniteti i njohur nga BE-ja”, ka deklaruar Mazreku, duke shtuar se në fund të korrikut do të ndodhë inicializimi i MSA-së.

“Në fund të korrikut do të ndodhë njëfarë inicializimi i kësaj marrëveshje, pra do të vendosen inicialet në mënyrë që të shmangen të gjitha këto probleme formale e juridike që i ka Kosova. Mirëpo, edhe pse kjo ndodh, MSA-ja nuk hyn në fuqi sepse kjo marrëveshje duhet të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare të BE-së dhe duke qenë kështu është e pamundur për Kosovën sepse vendi ynë nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare”, është shprehur Mazreku.

Kurse ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova synon ta nënshkruajë MSA-në me BE-në deri në fund të muajit korrik.

/Epoka e re/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)