Nënpresidenti amerikan, Joe Biden sot fillon takimet në Kosovë
Ai sot do të takohet me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa, ku pas këtyre takimeve do të ketë edhe një konferencë për media.
Gjithashtu, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, Nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden do të shkojnë për vizitë afër kampit Bondsteel për të marrë pjesë në cermoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. Beau Biden, III.
Po ashtu Dr. Jill Biden do të vizitojë Manastirin e Graçanicës ku do të takohet me peshkopin Teodosije dhe do të shikojë ambientet e manastirit.
Kosova tashmë kë bërë përgatitjet për vizitën e tij. Flamujt amerikanë dhe ata të Kosovës janë vënë gjithandej rrugëve nga do të kalojë nënpresidenti Biden i cili në Kosovë shihet si një nga mbështetësit e fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së saj.
Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë e kanë cilësuar vizitën me rëndësi historike.
Nënpresidenti amerikan Joe Biden, qëndroi dje në Serbi në fillim të vizitës dyditëshe në rajon ku edhe bëri thirrje të martën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe tejkalimin e pengesave nga e kaluara në këtë proces.
"Kjo është punë e vështirë, nuk ka asgjë të lehtë dhe la shumë histori për të tejkaluar. Kërkohet shumë punë dhe vullnet politik për të tejkaluar dallimet", tha nënpresidenti Biden, duke nënvizuar se "nëse të dyja pakët qëndrojnë të përkushtuara ndaj ardhmërisë në paqe e përparim, kjo do t'u ndihmojë të dyja vendeve që të lëvizin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian".