Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti priti z. Samuel Zhbogar
Prishtinë, 2 maj - Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, kishte sot një takim me përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, z. Samuel Zhbogar.
Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë.
Z. Zhbogar u interesua për punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës aktualisht dhe në muajt vijues, e në mënyrë të veçantë për punën legjislative rreth procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.
Z. Sabri Hamiti me këtë rast theksoi se është i domosdoshëm liberalizimi i vizave , në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në Evropë, duke dalë nga izolimi i tanishëm.
Bashkëbiseduesit theksuan se bisedat me Serbinë nuk do të japin rezultat derisa të mos zbatohen marrëveshjet e arritura dhe derisa Serbia të mos shpërbëjë strukturat e veta në Kosovë.
Nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti ritheksoi se nuk ka bazë ligjore që lejon të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë dhe këtë e ka thënë Kuvendi i Republikës së Kosovës në Rezolutën e 15 marsit 2012, duke e obliguar Qeverinë e Kosovës që të zbatojë këtë vendim.