Nënkryetari Haliti, në takimin e komisioneve parlamentare
Tiranë, 23 tetor - Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe njëherësh anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane, z. Xhavit Haliti, po merr pjesë në takimin dyditor të Konferencës së 11-të të komisioneve parlamentare për integrime evropiane të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore - COSAP, e cila po mbahet në Tiranë, nga 22-24 tetor, 2015.
Temat kryesore të konferencës janë: bashkëpunim më i afërt rajonal,sfidat parlamentare, nxitja e gjithëpërfshirjes dhe ndërveprimit në mesin e akterëve të procesit të integrimit evropian, si dhe qasja parlamentare në Procesin e Berlinit.
Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti, në këtë konferencë diskutoi për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, si faktor mjaft i rëndësishëm për arritjen e synimeve për integrim evropian. Po ashtu, ai i informoi kryetarët e komisioneve parlamentare për integrime e çështje evropiane të shteteve pjesëmarrëse në këtë konferencë për të arriturat dhe adresimin e sfidave për të vazhduar proceset integruese.
Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti, gjatë diskutimit të tij, u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse në COSAP që me qëllim të arritjes së synimeve tona në proceset e integrimit evropian, do të ishte në interesin e të gjithëve që edhe Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës të jetë pjesë e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane të Shteteve Pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore (COSAP).
Në këtë mënyrë do të mund të jepnim kontributin tonë në promovimin, kultivimin dhe ruajtjen e aspiratave tona të përbashkëta për integrim.
Po ashtu, nënkryetari Haliti potencoi rëndësinë e nxitjes gjithëpërfshirëse dhe ndërveprimit në mesin e akterëve të procesit të integrimit evropian, si një kusht esencial me qëllim të arritjes së adresimit të të gjitha sfidave në procesin e integrimit Evropian.
Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Xhavit Haliti, është duke zhvilluar takime me kryetaren e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj.Majlinda Bregu, si dhe me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e komisioneve parlamentare për Integrime e Çështje Evropiane të vendeve anëtare të COSAP-it.