"Nëna Terezë" ndihmon familjen Osmani e shpërngulur nga Maqedonia
Prishtinë, 12 maj - Gjatë ditës së sotme, Shoqata Humanitare dhe Bamirëse e Kosovës Nëna Terezë shpërndau ndihma humanitare familjes Osmani nga Malina e Maqedonisë, e cila është shpërngulur në fshatin Letnicë, Viti, për shkak të gjendjes momentale që mbizotëron në vendin e tyre.
Koordinatori i Shoqatës Nëna Terezë në Viti, Halit Alidema, është shprehur se së bashku me stafin dhe vullnetarët e Shoqatës Nëna Terezë, i kanë dalur në ndihmë familjes Osmani nga Malina e Maqedonisë, e vendosur në fshatin Letnicë. Sapo jemi informuar për rastin e familjes Osmani, ne kemi ndërmarrur iniciativën që ta asistojmë këtë familje. Familjen Osmani e kemi ndihmuar me gjëra elementare ushqimore dhe higjienike, pasi që kjo familje është larguar nga vendi i tyre pa pasur mundësi që të marr ndonjë gjë me vete. Shpresojmë që përmes iniciativave të tilla, do tiu japim zë familjeve që kanë nevojë për ndihmë, dhe kontributi ndaj tyre të rritet çdo ditë e më shumë u shpreh Alidema.
Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka shpjeguar se mbështetja e familjeve nevojtare është misioni kyç i Shoqatës. Fillimisht, ne shprehim pikëllim të thellë për situatën momentale në Maqedoni, andaj, Shoqata Nëna Terezë do të mundohet që tiu ndihmojë rasteve të tilla si familja Osmani. Është e rëndësishme për të përkujtuar se të gjithë ne duhet të tregojmë mirësi për të mbrojtur motrat dhe vëllezërit tanë, pasi që vetëm duke bashkuar duart në baza solidariteti, ne mund të jemi afër atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë, u shpreh Shala.
Në data bazën e Shoqatës Nëna Terezë çdo ditë shtohen familje të reja të cilat kanë nevojë për përkrahje të menjëhershme si në strehim ashtu edhe materiale elementare për mbijetesë. Shoqata Nëna Terezë kryen misionin e saj në tërë Kosovën, duke mbështetur për çdo vit mbi 6000 familje përmes programeve të ndryshme, por në krahasim me nevojat në terren, këto arritje mbeten rezultate simbolike.