Në zgjedhjet e Drenasit votuan 21 mijë e 318 votues, apo 40.55 për qind
Drenas, 4 dhjetor - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e radhës për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se janë mbyllur të gjitha Vendvotimet në Komunën e Drenasit në kohën e paraparë.
Ajo njoftoi se pjesëmarrja në këto votime është: 21 mijë e 318 votues apo 40.55 %. Në zgjedhjet lokale (2013) patën votuar 24 mijë e 362 votues, apo 48.66%.
Gjithashtu, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, znj. Daka falënderoi të gjithë qytetarët e Drenasit që shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar dhe për kulturën e lartë demokratike të treguar sot.
Po ashtu, kryetarja e KQZ-së falënderoi Këshillat e Vendvotimeve për punën e mirë që kanë bërë gjatë tërë procesit të votimit dhe gjithashtu inkurajoi të gjithë KVV-të që gjatë procesit të numërimit ti zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit me qëllim që vullneti i qytetarëve të dërgohet në vend.
Në fund, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh falënderime edhe për institucionet tjera, Policinë e Kosovës dhe Prokuroruinë e Shtetit, duke çmuar lartë punën e tyre gjatë gjithë ditës së sotme.
KQZ njofton se duke filluar nga ora 19:00 fillon të rrjedhë afati 24 orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).