Në Stagovë të Kaçanikut përkujtohen 14 të rënë për liri
Kaçanik, Stagovë 21 maj- Në fshatin Stagovë, është përkujtuar dëshmori Ekrem Gudaqi dhe 13 martirët e rënë më 21 maj të vitit 1999: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeve, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.
Kryetari i Komunës, Besim Ilazi ka thënë se sa herë që kujtojmë dëshmorët kujtojmë sakrificën dhe heroizmin e tyre. Ishte një rrugë e vështirë për gjeneratat që morën përsipër çlirimin e vendit. Ishte vështirë që të luftohej një pushtues barbarë por ishin këta djem e vajza që më shumë se çdo gjë tjetër e dashtën lirin, tha mes tjerash kryetari Ilazi.
Ndërkaq, Rrustem Gudaqi, në emër të Këshillit Organizues ka thënë se ne të gjallët jemi të obliguar ti përkujtojmë flijimin e prindërve, vëllezërve dhe motrave tona që në përpjekje për të mbrojtur dhe qëndruar në shtëpitë e tyre, padrejtësisht sot nuk gjenden në mesin tonë.
Vepra e tyre është madhështore dhe hyjnore. Dëshmorët janë dëshmia më e mirë dhe themeli i së ardhmes për të gjithë shqiptarët në trojet etnike. Gjaku i tyre u bë shpirti i kombit shqiptar për brezat që do të jetojnë pas nesh, u shpreh Gudaqi mes tjerash.
Në emër të familjeve të të rënëve të pranishmit në këtë tubim përkujtimor, i ka përshëndetur Jaser Jaha.
Në këtë manifestim përkujtimor është shfaqur edhe një program kulturor artistik nga nxënësit e shkollës fillore Agim Bajrami ndërkaq më pas janë vendos kurora lule pranë bustit të komandantit Agim Bajrami dhe janë bërë homazhe te kompleksi memorial i dëshmorëve.
Për nderë të të rënëve është organizuar edhe një garë vrapimi në konkurrencën e meshkujve dhe femrave dhe është luajtur finalja e turneut në futboll të vogël. Kupën e turneut e ka fituar ekipi i futbollit nga fshati Biçec pasi në ndeshen finale e ka mundur atë të Rakajve.