Në Stagovë dhe Runjevë përkujtohen të rënët
Kaçanik, 21 maj - Në fshatin Stagovë, është përkujtuar dëshmori Ekrem Gudaqi dhe 13 martirë të rënë më 21 maj të vitit 1999: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeve, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Baki Bela, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi, ndërsa në Runjevë është përkujtuar dëshmori Kemal Thaqi.
Në emër të Këshillit Organizues për shënimin e përvjetorit të 14 të rënies së tyre, kanë folur Xhelal Mani, drejtor i shkollës në Stagovë dhe Zijadin Gudaqi, bashkëluftëtar i dëshmorit Thaqi.
Ndërkaq nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Remzi Elezi, ka deklaruar se përulemi në shënimin e 14-vjetorin e rënies së dëshmorëve Ekrem Gudaqim, Kemal Thaqi dhe martirëve të rënë më 21 maj të vitit 1999.
Sot po shënojmë një nga betejat e shumta të Brigadës 162 Agim Bajrami, po edhe rënien heroike të dëshmorëve tanë e sakrificën martirizuese të të rënëve. Në këtë ditë të shënuar, me pietet përkulemi për të gjithë ata të cilët luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, ka theksuar ai.
Sipas tij, dëshmorët dhe të rënët, janë dëshmia e përjetshme dhe sublime e krenarisë sonë kombëtare.
Ai e ka çmuar lartë sakrificën e nënave e bijave, të cilët janë sakrifikuar krah burrave.
Sot kujtojmë edhe sakrificën e nënave e bijave tona që u flijuan këtu, në Stagovë para 14 viteve dhe jo vetëm këtu. Ato u gjakosen krah burrave për këtë tokë, për lirinë që po e shijojmë ne dhe brezat që do vijnë pas nesh. Ato hynë në histori me qëndresën e tyre, ato hynë në këngë me bujarinë e tyre, ato u mitizuan për besnikërinë dhe sakrificat e tyre si Rozafa e kalasë prej guri, si Doruntina..., është shprehur në mes tjerash Elezi.
Në emër të familjeve të dëshmorëve të pranishmit në këtë tubim përkujtimor, i ka përshëndetur Skënder Guri, djali i Sevdije Gurit.
Në këtë manifestim përkujtimor është shfaqur edhe një program kulturor artistik nga nxënësit e shkollës fillore Agim Bajrami, ndërkaq më pas janë vendos kurora lule dhe janë bërë homazhe te kompleksi memorial i dëshmorëve.
Homazhe janë bërë edhe pranë pllakës përkujtimore të dëshmorit Kemal Thaqi në Runjevë. Të pranishmit i ka falënderuar Sevdije Thaçi, motra e dëshmorit Thaçi.