19 Janar 2025

Në Sllatinë të Kaçanikut përkujtohen 6 dëshmorë dhe 13 martirë

Kaçanik, 13 prill - Në përvjetorin e 15-të të rënies, në fshatin Sllatinë, janë përkujtuar dëshmorët: Ramadan Xhokli, Isen Elezi, Shaban Elezi, Naim Beka, Agim Matoshi dhe Avni Shehu si dhe 13 martirë të lirisë. Në emër të strukturave komunale ka folur kryetari i Komunës,  Besim Ilazi. 


Ai ka thënë se sot po përkujtojmë betejën e 13 prillit dhe dëshmorët e martirët e rënë. 


\"Po i përkujtojmë ata që me veprën heroike u bënë kurban në themelet e lirisë e pavarësisë së Kosovës. Sot përulemi para të rënëve për të përkujtuar sakrificën dhe flijimin e dëshmorëve por edhe vuajtjet tona. Dëshmorët dhe martirët me gjakun e tyre sollën lirinë e lavdia e tyre si gjerdan lirie do të stolisë përjetë ballin e Kosovës\", ka theksuar ai.

Sipas tij falë gjakut të tyre populli ynë sot jeton i lirë dhe dinjitoz. Sot fëmijët rriten të gëzuar e pa frikë nga terrori barbar. Ata i falën lumturinë brezave e vetes së tyre lumturinë e amshueshme. 


\"Gjaku i tyre u bë themel i Kosovës së lirë e të pavarur, ndërsa neve na obligon për ndërtimin e jetës së re, zhvillimin e vendit dhe forcimin e shtetit demokratik ashtu siç e ëndërruan dëshmorët, u shpreh ndër tjera kryetari Ilazi.
Ndërkaq në emër të Këshillit organizues të këtij tubimi përkujtimor ka folur Kemajl Murseli, bashkëluftëtar e njëherësh anëtar i Kuvendit Komunal.

Ai ka theksuar se e kemi për obligim që përherë ta kujtojmë veprën madhore dhe sublime të dëshmorëve dhe martirëve, ndërsa shtoi se në vitet e pasluftës por edhe sot ka pasur përpjekje për njollosjen e luftës së UÇK-së, por e drejta është në anën tonë. Miku më i madh i së vërtetës është koha ndërsa armiku, është paragjykimi. 


Ai u shpreh se është koha që të shuhen paragjykimet negative për luftën e drejt dhe çlirimtare. Kosova sot po ecë sigurt në rrugën e shtetndërtimit dhe zhvillimit të saj, në rrugën e integrimeve euroatlantike, tha mes tjerash Museli. Në emër të OVL-UÇK-së ka folur Fari Demnika.


 Ai ka thënë se 13 prilli i vitit 1999 do të mbetet gjatë në kujtimet e njerëzve të kësaj ane sepse para 15 viteve në këto anë u ushtrua terror i paparë në popullatën e pambrojtur nga terroristët serb. 


Ai më tej tha se falë qëndresës së popullit, falë gjakut të derdhur dhe falë ndihmës së aleancës ushtarake të NATO-së dhe SHBA-ve u arrit një pjesë e lirisë mirëpo mbetet edhe shumë për ta qua në fund amanetin e dëshmorëve, u shpreh Demnika. Ndërkaq, në emër të familjeve të dëshmorëve pjesëmarrësit e tubimit përkujtimor i ka falënderuar Kastriot Xhokli, vëlla i dëshmorit Ramadan Xhokli. 


Pranë pllakës përkujtimore te Ura e madhe janë vendosur kurora lulesh, ndërsa më pas janë bërë homazhe te Varrezat e dëshmorëve. Është shfaqur edhe një program kulturor artistik nga nxënësit e shkollës së Doganajve, ndërkaq kanë performuar edhe këngëtarja Kumrije Biba dhe Milaim Mezini.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)