Në shtator shuhen gjykatat paralele
Prishtinë, 8 qershor - Ka përfunduar edhe takimi i tretë me radhë në Bruksel, mes delegacioneve Prishtinë-Beograd, ku po bisedohet për çështjet teknike të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, e cila po kryeson delegacionin nga Prishtina, pas përfundimit të takimit të së premtes në Bruksel, bëri të ditur për Zëri se edhe në këtë raund të bisedimeve nuk ka marrëveshje konkrete, por sipas saj ka përparime të theksuara, ashtu siç ka edhe dallime mes palëve.
Temë e debateve këtë javë në Bruksel, që kanë zgjatur tri ditë, kanë qenë se si të nisë dhe të zbatohet plani për shpërbërjen e strukturave paralele në veri, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe integrimi i individëve në institucione të Kosovës.
Përparimi në këtë raund të bisedimeve ka qenë se kemi përcaktuar datat se kur do të duhet të bëhet shpërbërja e strukturave paralele serbe në veri. Kemi rënë dakord që data për shuarjen e gjykatave paralele në veri të jetë 1 shtatori i këtij viti, ndërsa data finale për shuarjen e të gjitha institucioneve të sigurisë të jetë 30 shtatori, bëri të ditur Tahiri.
Më pas Tahiri tregoi se për cilat pika kanë rënë dakord e për cilat ka mosmarrëveshje.
Kur është folur për integrimin e individëve nga veriu në institucione të Kosovës, pala serbe këtu është përpjekur që të kërkojë rol udhëheqës gjatë këtij procesi, tregoi Tahiri.
Por sipas saj, delegacioni kosovar ka refuzuar dhe u ka bërë me dije se rekrutimi i personave në institucione të sigurisë së Kosovës është i përcaktuar sipas ligjeve të vendit dhe këtu nuk do të ketë rol Serbia. Një kërkesë tjetër e palës serbe ka qenë që të kenë rol gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri.
Marrëveshja e thotë qartë se zgjedhjet lokale në Kosovë, në këtë rast në veri do të mbahen sipas ligjeve të Kosovës dhe rol lehtësues do të ketë OSBE, dhe jo Serbia, tha Tahiri.
Si përfundim, takimet triditore kanë përfunduar për të vazhduar të martën e ardhshme.Zëvendëskryeministrja tregon se të martën, temë diskutimi në takim do të jetë telekomi dhe energjia, ndërsa të mërkurën deri të premten përsëri do të flitet për fazat e formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, për rekrutimin e individëve e detaje tjera që lidhen me këtë proces.
Ndërkaq, Tahiri pret që kah mesi i këtij muaji të kenë në tavolinë planin e zbatimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të të dyja shteteve.Sa i përket çështjes së telekomit dhe energjisë, pritet që të martën Brukseli si ndërmjetësues i bisedimeve të dalë me një propozim se si të gjendet zgjidhja për shkak se palët nuk kanë arritur pajtueshmëri dhe procesi është bllokuar.
Më 30 dhe 31 maj kanë qenë takimet ku palët kanë diskutuar për këtë dhe si përfundim ato nuk janë pajtuar me propozimet e njëra- tjetrës.
Serbia ka kërkuar nga Kosova që të licencojnë një operator mobil serb në Kosovë pa përfillur procedurat ligjore të Prishtinës, me kusht që të mos e pengojë Kosovën të marrë kodin e saj telefonik ndërkombëtar.
Por, Prishtina ka refuzuar duke i propozuar asaj që e vetmja mënyrë që të veprojë me një operator serb në Kosovë, pa procedura tenderuese, është përmes një operatori virtual i cili përdor infrastrukturën e njërës prej operatorëve të Kosovës IPKO ose VALA (siç vepron Z Mobile), propozim ky po ashtu i refuzuar nga pala serbe.
Presim që Brukseli do të dalë me një propozim të tij për telekomin në takimin e të martës, por të shohim, tha Tahiri.
/Zëri/