Në shtator e dimë kush ishte në UÇK e kush jo
Prishtinë, 19 maj - Në vjeshtën e këtij viti pritet të përfundojë regjistrimi dhe filtrimi i detajuar i listave të veteranëve dhe kategorive tjera që ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lista aktuale prej dhjetëra mijëra komandantë të UÇK-së pritet të zvogëlohet.
Numri i saktë i veteranëve dhe i njerëzve të tjerë të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të dihet në shtator, ka paralajmëruar udhëheqësi i Zyrës për Çështje të Veteranëve të Luftës në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), Faik Fazliu.
Ai ka thënë për Epokën e re se ky komision deri në shtator të këtij viti do ta kryejë detyrën e tij dhe do ta nxjerrë numrin e saktë dhe përfundimtar të këtyre kategorive.
Tash pritet që rregulloja e punës së këtij komisioni të miratohet. Shpresojmë se deri në shtator të këtij viti listat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës së UÇK-së të jenë të mbyllura. Pra, deri në atë kohë presim që këto lista të pastrohen dhe të kemi numër të saktë të këtyre kategorive, ka thënë Fazliu.
Sa i përket fillimit të punës në terren nga ana e këtij komisioni, Fazliu ka bërë me dije se ky komision tashmë është plotësuar dhe së shpejti do ta fillojë punën në terren. Sipas tij, për fillimin e punës së këtij komisioni nevojitet vetëm edhe miratimi i rregullores së punës nga Qeveria e Kosovës, në të cilën do të përcaktohen kriteret dhe metodologjia mbi bazën e të cilëve do tu njihet statusi kategorive të dala nga lufta.
Fazliu ka bërë me dije se edhe puna rreth kësaj rregullore është në përfundim e sipër.
Kjo rregullore pritet të miratohet së shpejti në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, sepse në bazë të ligjit qeveria është e autorizuar ta miratojë rregulloren e punës së këtij komisioni, ka thënë ai.