Në seancën e re, shqyrtohen tri projektligje
Fillimisht do të vazhdohet me pikat e papërfunduara nga seanca e 10 dhe 11 prillit: votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë eksportuese e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit Modernizimi i sistemit të arsimit dhe edukimit në Kosovë përmes E-edukim; votimi i Projektligjit për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, si dhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Seanca e re, në të njëjtën ditë do të fillojë me pikat e përhershme të rendit të ditës të seancave të rregullta parlamentare: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare.
Në vazhdim do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë dhe Policinë e Kosovës, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë, si dhe Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.
Pikë e fundit e kësaj seance do të jetë emërimi i anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Kryesia, ndërkaq, ka shqyrtuar dhe miratuar raporte dhe kërkesa të komisioneve parlamentare.