Në Prekaz u shënua Dita e Diasporës
Prishtinë, 2 gusht - Në Prekaz, në kompleksin memorial Adem Jashari, nën patronazhin e Ministrisë së Diasporës, u mbajt manifestimi tashmë tradicional Dita e Diasporës, në të cilin mori pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve dhe përfaqësues të komunave e deputetë të Parlamentit të Kosovës.
Ky manifestim filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari, me moton Një lule për Jasharët. Pas homazheve, ministri i Diasporës, Valon Murati, para bashkatdhetarëve dhe shumë qytetarëve të tjerë, mbajti një fjalë përshëndetëse.
Edhe këtë vit po mblidhemi në Prekaz, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, sakrificë që shënoi një prej momenteve më kulminante të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri.
Po takohemi këtu me bashkatdhetarët për të nderuar e kujtuar sakrificën e një familjeje simbol i lirisë, sepse vetë diaspora jonë ka qenë një prej shtyllave të përpjekjeve për liri.
Prekazi është dëshmia më e mirë se liria erdhi si produkt i përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë për liri, përpjekje gati njëqindvjeçare, të cilat në fund gjetën përkrahjen edhe të botës demokratike. Prekazi dhe sakrifica e Jasharajve për liri janë vlera universale, andaj i takojnë mbarë botës dhe njerëzimit, tha ndër të tjera ministri Murati në fjalën e tij para të pranishmëve.
Më pas, në orën 20:00, grupi muzikor nga Italia Spartiti per Scutari, në krye me drejtuesin artistik, shkodranin Bardh Jakova, mbajti një koncert që u karakterizua me këngë të bukura shqiptare.
Manifestimi përfundoi me fjalën e Murat Jasharit, përfaqësues i familjes Jashari, i cili, pasi i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë manifestim, veçanërisht orkestrën Spartiti per Scutare, theksoi se është emocion i veçantë kur dëgjon një grup muzikor italian, në krye Bardh Jakovën, duke kënduar shqip.