Në pranverë vjen misioni vlerësues për vizat
Bruksel, 13 shkurt - Minisitrja për Integrim Evropian, Vlora Ҫitaku dhe Ministri për Punë të Brendshme, Bajram Rexhepi sot në Bruksel, takuan Komisioneren e BE-së për Punë të Brendshme, Cecilia Malmström. Fokusi i takimit të sotëm ishte mbi zhvillimin e dialogut për Liberalizim të Vizave mes BE-së dhe Kosovës.
Ministrat e njoftuan Komisioneren për zhvillimet e shumta në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve për secilën nga fushat e udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave. Kryesisht u prezantuan të arriturat në fushën e riatdhesimit, riintegrimit, menaxhimit të integruar të kufirit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. U diskutua edhe për Migrimin e parregullt dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi jonë. Në këtë drejtim u bisedua për punën e përbashkët në javët dhe muajt në vazhdim dhe u rikonfirmua përkushtimi i dyanshëm ndaj këtij procesi të rëndësishëm.
Ministrat kërkuan nga Komisionerja që të dinamizohet më shumë shkëmbimi mes Kosovës dhe BE-së për të shënuar zhvillimet e arritura dhe të përmbyllet sa më shpejtë procesi me rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave për Kosovë bazuar në përmbushje të kritereve teknike.
Si hap i radhës u tha që gjatë muajit mars do të arrij një mision i ri ekspertësh të BE-së për të bërë vlerësimin në fushat e mbetuara të udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave.