23 Janar 2025

Në Kosovë janë rreth 1200 fëmijë pa përkujdesjen prindërore

Prishtinë, 15 maj - Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) e Komunës së Prishtinës me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Familjes” ka organizuar një diskutim me pjesëmarrësit e rinj nga Qendra Rinore e Prishtinës si dhe fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve të Prishtinës.

Me këtë rast, drejtoresha e DKRS, Saranda Bogujevci falënderoi të pranishmit dhe tha se familja e shëndoshë është themeli i një shoqërie të shëndoshë.

“Shkaku që në të kaluarën kemi qenë popull pa institucionet tona, institucioni i vetëm nëse mund ta quaj kështu që ka luajtur rol të veçantë dhe ka pasur rëndësi në formimin e individit ka qenë familja. Andaj, edhe sot kur kemi më shumë përparësi në krahasim me të kaluarën, asnjëherë nuk duhet të harrojmë rëndësinë dhe rolin e familjes në shoqëri”, tha Bogujevci.

Gjithashtu, pjesëmarrësit nga panelistët patën rastin të informohen edhe lidhur me ligjet dhe konventat që mbrojnë fëmijët dhe familjen. Juristja Donjeta Kelmendi tha se ndonëse Kosova për shkak të statusit të saj politik ende nuk e ka të ratifikuar konventën ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, megjithatë ligjet e Kosovës, si ligji për familjen dhe mbrojtjen e fëmijëve, bazat i ka pikërisht në këto konventa.

Klemendi, përfaqësuese e koalicionit të OJQ – ve “KOMF”, po ashtu tha se në Kosovën e pasluftës janë rreth 1200 fëmijë pa përkujdesjen prindërore, 600 prej të cilëve kanë mbetur pa prindër nga koha e luftës. Ajo tha se një dukuri tjetër shqetësuese është edhe braktisja e foshnjave pasi që, sipas saj, çdo vit mesatarisht braktisen nga 50 foshnje në Kosovë.

Nxënësit dhe fëmijët e pranishëm treguan një interesim të jashtëzakonshëm ndërsa kërkuan që në të ardhmen të ketë më shumë informata lidhur me qendrën e strehimit të fëmijëve dhe kërkuan angazhim të shtuar në këtë drejtim të Qendrës për Punë Sociale që vepron në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Gjithashtu, pjesëmarrës në debatin e organizuar lidhur me “Ditën Ndërkombëtare të Familjes” ishte edhe Vehbi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale si dhe Rudina Ademi Shala nga OJQ “Save dhe Children”.

Sipas Kombeve të Bashkuara, 15 Maji është Dita Ndërkombëtare e Familjes. Kjo ditë njihet në botë që nga viti 1993, kur u soll rezoluta për shënimin e Ditës së Familjes. Familja si shtyllë e çdo shoqërie mbrohet nga Kombet e Bashkuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)