Në korrik dihet për udhërrëfyesin
Besoj se brenda muajit korrik ky komision do ti vizitojë disa komuna të Kosovës, por nuk e di se cilat do të jenë ato.
Në bazë të këtij monitorimi ky komision do të dalë me një raport se kur Kosova do të ketë mundësi ta marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, ka thënë Çitaku në një intervistë për Epokën e re.
Ministrja Çitaku ka thënë se një prej kushteve të liberalizimit të vizave është edhe procesi i riatdhesimit për të cilin Qeveria ka ndarë një fond prej 3.5 milionë eurove, në të cilin mund të aplikojnë të gjitha komunat e Kosovës.
Në vazhdim Çitaku ka folur edhe për çështjen e miratimit të 49 ligjeve të cilat kanë dalë si obligim nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian (KE). Në këtë drejtim ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është vonuar në procedimin e këtyre projektligjeve për në Kuvendin e Kosovës.
Qeveria në Kuvendin e Kosovës ka proceduar 37 projektligje që ndërlidhen me Raportin e Progresit, kurse edhe shtatë të tjera pritet të procedohen gjatë kësaj jave, ka thënë Çitaku në një intervistë për Epokën e re. Ajo ka deklaruar se çështja e miratimit të ligjeve nuk duhet të kuptohet si zhvendosje e përgjegjësisë nga një institucion në tjetrin, por si obligim ndaj qytetarëve të Kosovës.