Në Kaçanik përkujtohen dëshmorët e martirët
Kaçanik, 14 maj Në Gjurgjedell janë përkujtuar dëshmorët Rizvan e Xhezair Bela, Sakip Mulaku e Ejup Dushkaja dhe martirët Hajdin Bela, Zejnete Avdiu, Selvete e Miradije Kuka dhe Osman Jezerci, ndërsa në Llanishtë dëshmorët Burhan Zeneli e Hesat Axhami, të rënë 15 vite më parë.
Kryetari i Komunës, Besim Ilazi e ka vlerësuar lartë veprën dhe aktin sublime të tyre. Ai ka thënë se sa herë që përkujtojmë dëshmorët kujtojmë periudhën e robërisë kur populli ynë u gjend mes asaj të pajtohej me robërinë apo të bëjë sakrificën për çlirimin e vendit.
Ishin këta djem e vajza të radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që na bënë të jemi sot krenar e të lirë. Historinë e shkruajnë të mëdhenjtë andaj ska çmim më të madh se emri dëshmor u shpreh kryetari Ilazi. Në emër të OVL-UÇK-së, një fjalë e ka prezantuar z. Ilaz Ceka.
Ai tha se nga gjiri i popullit lindën djem e vajza që i dolën zot kësaj toke. Ata ishin të gatshëm për sakrificë dhe i sollën lirinë popullit që i rriti, e ne sot i nderojmë me respektin më të madh.
Ndërkaq në fshatin Llanishtë në vendin e rënies, janë përkujtuar dëshmorët Burhan Zeneli e Hesat Axhami. Kryetari Ilazi u shpreh se UÇK-ja ishte ajo që i dha fund robërisë dhe i dhuroi popullit të saj lirinë.
Neve na mbetet të ndërtojmë shtetin dhe ti forcojmë institucionet tona. Ndërkaq,Vebi Koraqi, në emër të OVL-UÇK-së u shpreh se 15 vite më parë ranë dy dëshmorët që sot po i përkujtojmë. Sakrifica dhe gjaku i tyre bënë që ne sot të gëzojmë lirinë.
Në emër të familjeve të dëshmorëve, në Gjurgjedell të pranishmit i ka falënderuar Zaim Bela ndërsa në Llanishtë Fadil Zeneli. Pranë pllakave përkujtimore, në Gjurgjedell dhe Llanishtë, kurora lulesh kanë vendosur kryetari i Komunës, z. Besim Ilazi bashkë me z. Rufki Suma, kryetar i Komunës së Hanit Elezit, bashkëluftëtarë të dëshmorëve e martirëve, familjet e tyre, e të tjerë. Vargje kushtuar dëshmorëve kanë recituar nxënës të shkollave fillore në Gjurgjedell dhe Llanishtë.