Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Haziri i dorëzon detyrën Festinë Destanit
Gjilan, 1 qershor - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dorëzuar sot pozitën e kryetarit Festinë Destanit, e cila do ta ushtrojë detyrën për 24 orë, së bashku me stafin e zgjedhur të saj, që të gjithë fëmijë, si simbolikë e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se viti 2021 i kushtohet personave me nevoja të veçanta dhe në këtë ditë është zgjedhur që një fëmijë i kësaj kategorie që ta ushtrojë detyrën e kryetarit.
“Ne sot po e shënojmë një ngjarje të zakonshme në Gjilan e cila tashmë është traditë e punës në zyrën time, pasi në vitin 2001 ia pata dorëzuar detyrën Egzon Bajramit. Viti 2021 në Gjilan i kushtohet personave me nevoja të veçanta dhe sot është zgjedhur një fëmijë i kësaj kategorie që ta ushtrojë detyrën e kryetarit, e ndihmuar nga stafi që janë nga të gjitha komuninetet pakicë. Gjilani është shembulli më i mirë i respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave të komuniteteve. I uroj punë të mbarë kryetares së Gjilanit, Festinë Destani, dhe stafit të saj”, ka thënë Haziri.
Përbërja e fëmijëve që u bënë me ‘pozita’ udhëheqëse sot është kjo:
Festinë Destani – kryetare e Komunës së Gjilanit
Shpëtim Syla – nënkryetar
Anxhelina Ramadani – nënkryetare për komunitete (komuniteti rom)
Mateja Stanojkovic – shef i kabinetit (komuniteti serb)
Bunela Sllamniku - asistente (komuteti turk)
Kryetarja në detyrë, Festinë Destani dhe stafi i saj, pas pranimit të detyrave, gjatë ditës do të mbjellin fidane para objektit të Kuvendit Komunal, do ta vizitojnë Stacionin Policor, KFOR’in turk e Muzeun Etnografik.
Praktika e ‘dorëzimit’ të pushtetit tek fëmijët në Gjilan, ka filluar pas luftës, përkatësisht në vitin 2001, si ide e komandantit të paqeruajtëseve amerikanë, e cila ishte përkrahur nga kryetari Lutfi Haziri.
Haziri, atëbotë, ia kishte dorëzuar pozitën e kryetarit të Gjilanit Egzon Bajramit, i cili ishte dhjetë vjeç.