19 Janar 2025

Në Bruksel u bisedua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve

Prishtinë, 18 janar - Delegacioni i kryesuar nga zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri njëherësh udhëheqëse për zbatimin e marrëveshjes për normalizim mori pjesë në takimin e radhës të grupit për zbatimin e marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së dhe ku u diskutua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve.

Takimi u zhvillua në mes të delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të BE lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjete. Mundësia e arritjes së kësaj marrëveshje në mes të përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve të përfaqësuara nga institucioni përgjegjës Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe institucionit homolog të Serbisë, do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht edhe lehtësoj lirinë e lëvizjes në mes të dy shteteve fqinje.

Është vlerësim i ndërsjellë i delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të BE që një zgjidhje më permanente për uljen e çmimeve dhe lehtësimin e kalimeve kufitare duhet të jetë synim i përbashkët. Prandaj edhe ky takim ka qenë i frytshëm në arritjen e pajtueshmërisë së palëve në dialog që pritet të rezultojë me arritjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës si përfaqësues legjitim i industrisë së sigurimeve, dhe Asociacionit të Sigurimeve të Serbisë, dhe u hartua një draft fillestarë i kësaj Marrëveshje.

Palët po ashtu u dakorduan edhe për hapat e mëtutjeshëm lidhur me arritjen e marrëveshjes, ku ndërkohë do të zhvillohen diskutime për rregullativat ligjore përkatëse të dyja shteteve dhe dokumente tjera shtesë, që në ditët në vijim të plotësohet marrëveshja me elementet e parapara si nga industria e sigurimeve e po ashtu edhe nga rregullat ndërkombëtare të paraqitura nga Këshilli i Byrosë së Kartonit të Gjelbër me seli në Bruksel dhe nga dokumenti i Kretës ku përfshihen rregullat interne të vendeve në lidhje me sigurimet e automjeteve.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje z. Qemajl Marmullakaj nga Zyra e Kryeministrit dhe koordinator për çështjen e sigurimeve të automjeteve , dhe delegacionin nga Byroja e sigurimeve të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)