Ndoshta kandidat për kryeministër
Prishtinë, 24 shkurt - Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të qenë pjesë e garës së sivjetme për postin e kryeministrit. Por, ai ka thënë se për këtë çështje vendos Këshilli Drejtues i partisë.
Nuk është tërësisht në vullnetin tim çështja e kandidimit apo jo për postin e kryeministrit. Kjo është një çështje për të cilën do të vendosë Këshilli Drejtues i partisë. Asnjëherë nuk kam dal kundër këtij vullneti. U takon organeve të partisë të vendosin për këtë çështje, ka deklaruar Pacolli në një intervistë për Epokën e re.
Ai ka vlerësuar se AKR-ja ka kapacitete dhe është e gatshme për ta drejtuar qeverinë e ardhshme. AKR-ja është gatshme të drejtojë një mori procesesh nga pozita e të parit të ekzekutivit. AKR-ja ka brenda vetes individë dhe kuadro kredibilë dhe të gatshëm tu prijnë proceseve, ka thënë Pacolli.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se çështjen e kandidimit të tij e sheh si mundësi të mirë për implementimin e programit zhvillimor ekonomik. Në fakt, nuk është sfidë e cila ma tundon mendjen dhe ma luhat vendimin. Unë këtë e shoh më tepër si mundësi të implementimit të programit zhvillimor ekonomik që aktualisht është aq i nevojshëm në Kosovë. Këtu në të vërtetë nuk sfidohem unë personalisht, sfidohen ideja, programi e koncepti që do tu garantonte Kosovës dhe qytetarëve tanë zhvillim, ngritje e progres, ka thënë Pacolli.
Ai ka bërë me dije se në zgjedhjet parlamentare AKR-ja do të garojë e vetme dhe se, sipas tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë një befasi e këndshme për të gjithë.
Ndonëse nuk është në dijeni për iniciativën e AAK-së për rrëzimin e Qeverisë, Pacolli ka thënë se nuk ka hapësirë për asnjë lloj frike pasi opozita e ka për obligim ta luajë rolin e saj. Unë nuk e di nëse ka një iniciativë të tillë. Nuk ka hapësirë për kurrfarë frike. Opozitëbërja është obligim dhe detyrë e tyre, është shprehur Pacolli.