Ndihmat ruse për serbët mbeten në depo
Mitrovicë, 3 shkurt - Dërgesa humanitare ruse për serbët e veriut të Kosovës, ka mbi një muaj e gjysmë dhe nuk ka arritur në destinimin e saj.
Të njëjtin fat kanë pasur edhe ndihmat e qeverisë së Serbisë të cilat në këtë pjesë ishin sjellë që gjatë verës, shkruajnë media serbe.
As pas kaq kohësh dërgesa humanitare e presidentit rus, Dimitri Medvedev nga 319 ton e dedikuar për serbët në Kosovë, ende nuk ka arritur te popullata.
Konvoji prej 27 kamionësh ka përfunduar në depot e Kryqit të Kuq të komunës së Zveçanit, pas një numër problemesh që kishte gjatë futjes në territorin e Kosovës, për të cilat është diskutuar edhe në Samitin BE-Rusi dhe për të cilat është dashur edhe intervenimi i kreut politik rus.
Ndihmat kanë arritur te vetëm 2000 mijë familje të kategorisë sociale, nga 8000 sa janë të evidentuara në komunat Mitrovicë, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, shkruan gazeta Politika.
Zyrtarë të ambasadës ruse në Beograd kanë deklaruar se Kryqi i kuq ka qenë përgjegjës për përgatitjen e listave me familjet më nevojtare, të cilave do të duhej tu ndaheshin ato ndihma.