NDI-ja -partner i rëndësishëm i Grupit të Grave Deputete
Prishtinë, 28 janar - Sot, anëtarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, znj. Flora Brovina, priti këshillëtarët nga USAID-i, Keith Schutz dhe Micheln Henning. Mysafirët u interesuan për punën e GGD-ës dhe rolin e deputeteve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Znj. Brovina foli për angazhimet e GGD-ës në shumë drejtime, siç është legjislacioni, në kuadër të të cilit i jepet rëndësi përfshirjes së perspektivës gjinore në ligje.
Znj.Brovina pastaj foli për angazhimet e GGD për Qasjen në Drejtësi, përkatësisht rëndësisë që që i kushtohet realizimit të së drejtës në trashëgimi nga ana e grave, buxhetimin gjinor dhe aplikimi i politikave në të gjitha nivelet në këtë aspekt, bashkëpunimin me asambletë komunale dhe fuqizimi i grave në nivelin lokal dhe partitë politike, angazhimin e GGD-ës për mirëqenien dhe shëndetin e gruas, si dhe për projektin në vazhdim për blerjen e Mamografit mobil.
Znj. Brovina theksoi se shumë projekte të GGD-ës janë realizuar me ndihmën e NDI-së, por edhe të USAID-it. Ajo NDI-në e quajti partner shumë të rëndësishëm të GGD-ës për të fuqizuar gruan në shoqëri,vendimmarrje dhe për demokratizimin në përgjithësi.
Schuts u interesua sa është përfshirë buxhetimi gjinor në politikat e vendit dhe sa janë të kujdesshëm në parlament lidhur me implikimet buxhetore të ligjeve. Me kërkesë të Flora Brovinës mysafirët premtuan se do të shikojnë mundësinë që sjellin delegacione të Grave nga vendet tjera me qëllim që të njohin më mirë Kosovën.