Ndërpritet seanca e Kuvendit
Aktivistët e kësaj lëvizje kanë bllokuar hyrjen e Kuvendit, për të mos lejuar deputetët që të futen.
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare, në të cilën pritet ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur më 19 prill, por ajo është ndërprerë për shkak të mungesës së kourimit që është shkaktuar nga pengesa që ka krijuar protesta e Vetëvendosjes para hyrje-daljeve të ndërtesës së Kuvendit.
Deputetët e PDK-së, dhe përfaqësuesit e Qeverisë thanë se kanë hasur në pengesa gjatë hyrjes në Kuvend, duke përmendur edhe dhunën fizike ndaj tyre.
Ata kërkuan nga kryeparlamentari Krasniqi që të krijojë kushtet për të vazhduar seancën, por Krasniqi u përgjigj se brenda në seancë është gjithçka në rregull, ndërsa theksoi se deputetët do duhej ta kishin parasysh këtë situatë dhe të vinin në seancë para bllokimit të hyrjeve.
Raportohet për pengimin me forcë të deputetëve Anton Çuni (LDK) e Idriz Vehapi (PDK) për të hyrë në Kuvend, ku po zhvillohej seanca për ratifikimin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi). Ata i shoqëroi policia derisa nuk depërtuan përmes turmës së protestuesve.
Zyrtari i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, njofton se nga Policia e Kosovës sot janë arrestuar 20 aktivistë të Vetëvendosjes.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe Aida Dërguti, Xhelal Sveçla dhe Dardan Molliqi.
Përleshje ka pasur edhe përpara hyrjes së godinës së qeverisë, që mbahet po ashtu e bllokuar nga Vetëvendosje.