Nderohen të rënët e Reçakut
Prishtinë, 15 janar - Me një Akademi Përkujtimore, në pesëmbëdhjetë vjetorin e Masakrës së Reçakut, u përkujtuan të gjithë ata që ranë në ditën e 15 janarit të viti 1999.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duke përkujtuar masakrën e Reçakut si akt çnjerëzor, tha se kjo masakër do të kujtohet gjithmonë.
\"Ndjej pikëllim të thellë derisa po qëndroj këtu, para jush, për të kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, një krimi makabër që la familjet tuaja dhe shumë familje të tjera në tërë Kosovën përjetësisht të zhytura në dhembje dhe me zemra të thyera\", ka deklaruar ajo.
Sipas saj sot me dhembje të madhe përkujtojmë 15-vjetorin e këtij akti çnjerëzor të kryer nga forcat serbe, këtij krimi ndaj njerëzimit, ekzekutimin e familjarëve tuaj të pafajshëm në atë ditë të kobshme, të ftohtë janari, të vetëdijshëm që vitet e shkuara nuk e kanë pakësuar dhimbjen e as nuk i kanë mbyllur plagët, të vetëdijshëm që ngushëllimi ynë, i të gjithë neve, nuk do të kompensojë humbjen tuaj, familjarë të nderuar.
\"Ne assesi nuk mund ta mbushim zbrazëtinë që e kanë lënë 45 banorët e Reçakut që nuk arritën të gëzojnë diplomimin e fëmijëve të tyre, që nuk gëzuan suksesin e tyre. Nuk mund ta kompensojmë mungesën e tyre fizike dhe e di se juve, familje të nderuara, që çdo ditë i shihni ata të prehen në varret buzë kodrës së fshatit si përkujtues i atij kobi, ata do tju mungojnë përjetë\", ka pohuar ajo.
Sipas saj por, ne duhet të gjejmë forcë të ecim tutje, sepse flijimi i tyre i dha Kosovës, na dha të gjithë ne, një mundësi që të krijojmë një vend më ndryshe, ku njerëzit jetojnë me dinjitet, të lirë, të fuqizuar, për të vendosur për fatin e tyre. Një vend ku krimet e tilla nuk do të përsëriten më. Çmimi ishte i lartë për të gjithë ne, e në veçanti për ju. Por, siç po dëshmojmë çdo ditë, mbi këtë sakrificë kolektive të gjeneratave të tëra, ne po ndërtojmë një shtet, që është realizim i ëndrrës për të jetuar të barabartë, për të realizuar lirinë.
\"Masakra e Reçakut, njëlloj sikurse edhe tragjeditë e tjera të luftës së fundit në Kosovë, do të mbahen mend ndër gjenerata, do të jenë pjesë e kujtesës sonë kombëtare. Por, gjithsesi se do të kërkojnë drejtësi, që do të qetësojë shpirtrat e të gjithë juve familjarëve të viktimave në Reçak dhe kudo në Kosovë. Një drejtësi që do të ndihmojë secilin prej jush që kujtimet për më të dashurit tuaj ti mbani me dashurinë më të madhe, ashtu siç i keni mbajtur deri sot, por pa dhembjen e padrejtësisë. Dhe kjo do të ndihmojë vendin tonë të ecë përpara, në rrugën e pandalshme të përparimit dhe të zhvillimit\". ka theksuar ajo.
Sipas saj flijimi i tyre duhet të na shërbejë si motiv për të çuar përpara amanetin e të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit, që të ndërtojmë institucione të fuqishme demokratike, shtet ku sundon rendi e ligji.
\"Ky proces është i pakthyeshëm. Kosova do të jetë pjesë e të gjitha institucioneve dhe mekanizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë, sepse vetëm kështu do ti dërgojmë porosi atyre që vranë e masakruan se Kosova është shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, të barabartë dhe pa dallim. Se Kosova është e fortë dhe unike\", ka pohuar ajo.
Kurse Adem Demaçi në këtë përkujtim ngushëlloj familjet e Reçakut, duke thënë se ata të cilët kanë mbetur po gëzojnë diçka nga ajo se për çka u masakruan të afërmit e tyre, 15 vite më parë. Ai shtoi se Kosova duhet të punojë më shumë se asnjëherë për të shëruar plagët e rënda që ka marrë në atë kohë.
Demaçi theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka kryer asnjë krim në atë kohë, dhe se ky fakt nderon gjithë popullin e Kosovës.
Ushtria jonë çlirimtare nuk e bëri asnjë krim, nuk vrau as gra, as fëmijë, as askënd, ka pasur mundësi të bëjë një gjë të tillë por nuk e ka bërë asnjëherë, po kjo është nderë për neve, kjo për ne është një krenari e madhe, ka thënë ai.
Sot duhet të punojmë më tepër se kurrë që të shërojmë plagët e randa të cilat na i la trashëgim fashizmi serb në mënyrë që të mund prapë të gjejmë rrugë që të ecim përpara, ka thënë ai.