Ndërkombëtarët kundër rinegocimit të Asociacionit
Prishtinë, 25 dhjetor - Diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë i kanë dhënë mbështetje të plotë interpretimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, por kundërshtojnë propozimin e opozitës dhe analistëve që marrëveshja të rinegociohet.
Ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me përgatitjen e statutit për këtë Asociacion, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kërkojnë nga të gjithë faktorët politikë në Kosovë ta respektojnë këtë vendim, shkruan Zëri.
Sipas diplomatëve ndërkombëtarë, Gjykata Kushtetuese në mënyrë të qartë thotë se Asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit dhe jep udhëzime për tu siguruar që themelimi i saj bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Opozita në anën tjetër, këtë vendim të Kushtetueses e sheh si vendim në favorin e tyre dhe kërkon dorëheqjen e Qeverisë.
Por, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmes një komunikate për media ka bërë thirrje që të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Ambasada e SHBA-ve gjithashtu thotë se Gjykata në mënyrë të qartë ka sqaruar se Asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Kushtetutës së Kosovës.
/Zëri/