Ndërkombëtarët e dënojn referendumin e serbëve
Votimin në këtë referendum ajo e quan si \"provokim kontraproduktiv\" i cili \"do të dëmtojë rëndë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nxitë forcat nacionaliste\".
\"Përgjigja e vetme e drejtë e qeverisë në Kosovë është forcimi i angazhimit për realizimin e projekteve të filluara në veri. Ajo duhet të bindë popullatën serbe që Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve të saj\", pohon Lunacek.
Ndërsa Franziska Brantner, zëdhënëse për politikë të jashtme e grupit parlamentar ekologjist në PE bën të ditur se edhe vet autoritetet serbe, presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe ministri për Kosovën Goran Bogdanoviq e kanë quajtur këtë referendum të dëmshëm dhe të panevojshëm.
\"Në vend të provokimeve të hidhura do të ishte mirë që të punohet në implementimin e planit të Ahtisaarit, me qëllim që serbët e veriut më në fund të realizojnë të drejtat e tyre që u takojnë\", pohon ajo.
Referendumi i serbëve në veri ka shkaktuar reagime negative edhe në Berlin. Zëdhënësja për politikë të jashtme e ekologjistëve Marieluise Beck, kumtoi se bashkësia ndërkombëtare e ka shpallur me të drejtë si të pavlefshëm referendumin e serbëve në veri.
\"Është shumë e qartë që kemi të bëjmë me një provokim të fushatës parazgjedhore serbe. Referendumi ka për qëllim të minojë gatishmërinë e palës serbe dhe kosovare për bisedime\", pohon Beck.
Në veri, sipas saj, nuk mund të flitet për liri demokratike. Banorët e atjeshëm janë nën presione të vazhdueshme.
\"Kërcënohen të gjithë ata që angazhoen për pajtim me shqiptarët. Referendumi në këto kushte është një farsë. Pavarësia e Kosovës është e lidhur ngusht me planin e Ahtisaarit.
Plani parashikon krijimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë, ku serbët duhet të gëzojnë të gjithë të drejtat që u takojnë minoriteteve.
Ndërsa përpjekjet për ndryshimin e kufijëve paraqesin një rrezik për stabilitetin e tërë rajonit\", kumtoi Mariluise Beck.
Ndërkaq presidenti i Serbisë Boris Tadiq kumtoi se referendumi i serbëve në veri të Kosovës \"i dëmton interesat e shtetit serb\".
Në faqen e tij të internetit ai shkruan se \"ka mirëkuptim për dëshirën e popullit serb që të shprehë vullnetin e vet politik\", por autoritetet lokale nuk mund të bëjnë më shumë për zgjidhjen e problemeve sesa autoritetet e shtetit të Serbisë.
\"Ky veprim i krerëve të disa komunave në veri të Kosovës mund të zvoglojë potencialet e Serbisë për veprim dhe nuk është në interesin e serbëve.
Referendumi vetëm e pengon Serbinë në përpjekjet e saj për mbrojtjen e interesave legjitime në Kosovë\", shkruan Tadiq duke shtuar se \"Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Ksovës dhe do të insistojë që problemet të zgjidhen mbi bazën e rezolutës 1244 të KS të OKB\".
Në ditën e parë të referendumit serb në veri të Kosovës kanë votuar, sipas të dhënave të përfaqësuesve të tyre, 48 % e rreth 35 mijë serbëve me të drejtë vote.
Referendumi ka për qëllim që të mos pranohen institucionet e Kosovës në këtë pjesë të vendit.
Qeveria e Kosovës kumtoi se kjo është një përpjekje e serbëve dhe Beogradit për ndarjen e kësaj pjese të vendit.
Ndërkohë që autoritetet e Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare e kanë dënuar këtë referendum si të dëmshëm dhe të panevojshëm. Deri tani nuk ka të dhëna për incidente.