Ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë mban vulën e zonjës Albright
Pas nderimit që i bënë mikes së madhe të popullit të Kosovës, kryeministri Kurti tha se politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur sesa te personaliteti i jashtëzakonshëm i Sekretares Madeleine Albright.
“Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e te ne në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës”, tha kryeministri Kurti.
Para mediave, kryeministri Kurti ka potencuar se ndërhyrja e NATO-s për të ndalur gjenocidin në Kosovë me bombardimet kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit, padyshim që mbanë vulën e zonjës Albright dhe për këtë ne do të jemi përjetë falënderues e mirënjohës.