Ndal presionit politik mbi Gjykatën Kushtetuese
Prishtinë, 26 korrik- Rrjeti i OJQ-ve AVONET është i shqetësuar me presionet dhe përpjekjet për ndërhyrje në veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese dhe procesit demokratike që po zhvillohet në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit.
Liderë politikë ditëve të fundit kanë dhënë deklarata që bëjnë presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe procedurën demokratike dhe kushtetuese që me tonë kërcënime këto institucione dhe përpiqen të paragjykojnë veprimtarinë e tyre. Këto deklarata krijojnë dyshime serioze për përkushtimin e tyre ndaj shtetit të së drejtës, ku jo politikanët por institucionet e specializuara dhe të pavarura, interpretojnë dhe vendosin mbi dilemat juridike që janë evidente në të gjitha shoqëritë demokratike. Po ashtu, këto deklarata krijojnë mëdyshje tek zotimi i liderëve politik për sundim të ligjit.
Liderët politikë në Kosovë kanë ndërtuar një proces kredibil përmes zgjedhjeve të 8 qershorit dhe është qenësore që arritjet në këtë rast të mos cenohen përmes mesazhe që sinjalizojnë vullnetin për të shmangur rrugën institucionale të zgjidhjes së mospajtimeve politike.
Gjykata Kushtetuese e ka dëshmuar pavarësinë dhe kredibilitetin e vetë. Gjyqtarët që shërbejnë në këtë piedestal të demokracisë janë votuar nga të gjitha partitë politike, përderisa në rastin e fundit gjyqtari raportues është caktuar njëri prej 3 gjyqtarëve ndërkombëtar të kësaj Gjykate.
Ne kërkojmë që asnjë aktor politik të mos ndërhyj në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese si dhe mos të bëhen deklarata që synojnë cenimin e procesit demokratik dhe njollosin imazhin e këtij institucioni duke paragjykuar vendimet e tyre.
AVONET i bashkohet deklaratës së ambasadores amerikane që duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar më tej në kuadër të procedurave demokratike për konstituimin e Kuvendit të Republikës.
Po ashtu AVONET kërkon që këto institucione të vijojnë punën e tyre me rigorozitet dhe ne bazë të ligjit si dhe të mos ndikohen nga presionet që vijnë nga jashtë.