Ndahen çmimet e videove më të mira për të mos u votuar të korruptuarit
Prishtinë, 8 qershor - Koalicioni i Organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim organizon ceremoninë e ndarjes së pesë çmimeve në kuadër të garës për videon më të mirë, pjesë e fushatës #AsUne nuk do të votoj për kandidatët e korruptuar.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova do të ndajë çmimin e videos më të mirë të përgatitur nga të rinjtë në kuadër të fushatës së vetëdijësimit publik #AsUne.
Fushata u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të mos votojnë për kandidatët e përfshirë në aktivitete të korrupsionit.
Rrjeti i organizatave të shoqërisë civile Demokracia në Veprim e udhëhequr nga Instituti Demokratik i Kosovës, i mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, më 1 qershor 2017 lansoi fushatën për vetëdijësimin publik e cila do të zgjasë edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale.
Fushata gjithëpërfshirëse në Kosovë që synon vetëdijësimin e qytetarëve dhe edukimin e votuesve do të fokusohet në zgjedhjet parlamentare dhe komunale.
Të gjitha aktivitetet janë paraparë nën temën \"Votimi i bashkuar kundër kandidatëve të korruptuar\" me simbolin #AsUne.
Çmimet e tjera do të prezantohen nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, alpinistja Arineta Mula dhe gazetarët Astrit Gashi dhe Imer Mushkolaj.