Naser Osmani e Fikrim Damka fitojnë mandatin e deputetit
Prishtinë, 5 korrik - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja Valdete Daka në të cilën u paraqit një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve pas rinumërimit të kutive të votimit për të cilat kishte vendosur Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Sipas këtij raporti, pas rinumërimit ka ri-renditje të listës së kandidatëve për deputetë. Ndryshimet janë shfaqur në 3 raste, si në vijim:
Kandidati Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës Aleanca Kosova e Re fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit: 7 mijë e 265 vota pas rinumërimit 7 mijë e 350 vota) në vend të Imet Rrahmani (para rinumërimit: 7 mijë e 275 vota pas rinumërimit: 7 mijë e 272 vota).
Kandidati Fikrim Damka nga Kosova Demokratik Turk Partisi fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit: 2 mijë e 905 vota pas rinumërimit 2 mijë e 980 vota) në vend të Mahir Yagcilar (para rinumërimit: 2 mijë e 929 vota pas rinumërimit: 2 mijë e 928 vota).
Dhe, kandidati Slavko Simiq nga G.I. Srpska Lista fiton mandatin pas rinumërimit (para rinumërimit: 12 mijë e 051 vota pas rinumërimit: 12 mijë e 603 vota) në vend të Branimir Stojanoviq (para rinumërimit: 12 mijë e 245 vota pas rinumërimit: 12 mijë e 464 vota).