Mustafa zotohet për një qeveri ku të rinjtë do të kenë vendin meritor
Prishtinë, 22 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, me rastin e aderimit të një grupi të rinjsh në LDK ka thënë se qeveria e drejtuar nga ai do tu japë hapësirën e merituar të rinjve dhe do të angazhohet që ata të mos jenë të izoluar por të udhëtojnë pa viza në Evropë, të kryejnë studime brenda dhe jashtë vendit dhe të japin kontribut për zhvillimin e shoqërisë tonë.
Ne kemi obligim që të punojmë më shumë për të rinjtë tanë, sepse gjenerata deri në 26 vjeç, përbën 52% të popullatës në Kosovë. Të rinjtë e Kosovës nuk e meritojnë të jenë të vetmit në Evropë që nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza. Ne do të plotësojmë kushtet për heqjen e vizave dhe do tju mundësojmë të rinjve, që përveç arsimit cilësor në Kosovë, të kenë mundësi studimi edhe në Bashkimin Evropian, SHBA dhe vendet e tjera dhe më pas ata të kthehen dhe të japin kontribut për zhvillimin e Kosovës, ka thënë Mustafa
Kreu i LDK-së ka thënë se jemi të lumtur gjithmonë kur kemi të rinj që aderojnë në LDK sepse dëshirojnë që bazën e LDK-së ta zgjerojmë përmes të rinjve, edhe pse jemi të hapur edhe për gjenerata tjera.
Problemet e rinisë janë probleme të cilat e preokupojnë kryesisht shoqërinë tonë, dhe e preokupojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë probleme të punësimit, të studimeve, janë probleme të zhvillimit ekonomik, janë probleme të zhvillimit të sportit, të kulturës, ka thënë Mustafa.
Problemet e të rinjve, sipas tij, nuk zgjidhjen pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të të rinjve në proceset vendimmarrëse, siç ka ndodh deri më tani.
Zëri i të rinjve në qeverisjen e ardhshme të LDK-së nuk do të jetë simbolik, por përcaktues për politikat zhvillimore për të rinjtë. Problemet me të cilat përballen të rinjtë nuk mund t\'i zgjidhim vet pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejt të të rinjve, dhe dëshirojmë që të rinjtë t\'i kemi nesër edhe pranë zyrave tona në mënyrë që ata të konsultohen, t\'i marrim mendimet e tyre dhe problemet e tyre në të ardhmen, mos të zgjidhen si probleme moshore për të zgjidhen si probleme integrale të shoqërisë sonë, ka thënë kreu i LDK-së.
Mustafa ka thënë se Programi qeverisës i Lidhje Demokratike parasheh qeverisje të hapur për të gjithë qytetarët, të jetë qeverisje për qytetarin, dhe të jetë qeverisje që do të përmirësojë imazhin e përgjithshëm të vendit tonë edhe brenda edhe jashtë, dhe këtë imazh më së miri do ta ndreqin dhe do ta përmirësojnë të rinjtë.
Armend Ibrahimi, kryetar i Forumit të të Rinjve të LDK-së, ju ka dëshiruar mirëseardhje të aderuarve të rinj në parti dhe ka shtuar se sot jemi me një grup të rinjsh që për herë të parë aderojnë në LDK.
Ky grup i të rinjve i bashkohen ekipit tonë për të krijuar edhe një ekip të ri, në këtë rast këshillin e të rinjve, të cilët do merren me promovimin e politikave rinore dhe të cilët kuptohet do të punojnë ngushtë me Zyrën e Kryeministrit të ardhshëm Isa Mustafa, ka thënë Ibrahimi.