Mustafa: Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar!
Prishtinë, 28 nëntor - Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se përvjetori i 107-të i shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë e gjen tërë popullin shqiptar plot dhimbje.
Tërmeti që goditi shtetin shqiptar këto ditë rezultoi me humbjen e jetës së shumë shqiptarëve dhe lëndimin e qindra të tjerëve, pos dëmeve të mëdha materiale.
"Këto 107 vjet dhe mijëra vjet të mëparshme kemi ndarë të njëjtën histori, gëzim, dhimbje, lumturi, tragjedi. Shteti i Kosovës dhe çdo qytetar i saj është mobilizuar me të gjitha forcat që kemi, të përkrahim shtetin dhe popullin e Shqipërisë", thekson Mustafa.
Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e tronditur nga tërmeti tragjik që ndodhi në Durrës dhe Thimanë, bashkëndjejnë dhe ndan dhimbjen me të afërmit e atyre që humbën jetën dhe me ata që janë lënduar.
"Këto janë momente që testojnë dhe vërtetojnë fuqinë shpirtërore të çdo populli. Shqiptarët, anekënd botës, jemi më afër njëri-tjetrit se asnjëherë më parë."
"Në këtë ditë, që shënon kulmin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe shkëndijën e legjitimimit ndërkombëtar të kërkesës së të gjithë shqiptarëve në Ballkan për mëvetësi, ne shpërfaqim edhe një herë forcën tonë për të ngushëlluar njëri-tjetrin, për t’u lutur për njëri-tjetrin dhe për të përkrahur njëri-tjetrin drejt rimëkëmbjes."
"Sot nuk festojmë dot por i thurim lavde fuqisë sonë kombëtare të pashtershme për t’i dalë zot vetes e njëri-tjetrit dhe të tejkalojmë çdo vështirësi që të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë."
"Uroj që të gjithë familjarët e atyre që humbën jetën të gjejnë ngushëllim, të lënduarit të gjejnë shërim dhe i tërë populli shqiptar të gjejmë sadopak qetësi shpirtërore këto ditë trishtuese."
"Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar!”, thotë në fund të letrës Mustafa.