Mustafa: Zajednica nuk krijohet ashtu siç do Serbia
Prishtinë, 10 janar - Deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, ka thënë se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë që të krijohet Zajednica ashtu siç do Serbia dhe as siç po propagandojnë forca të caktuara politike në luftën e tyre të papërgjegjshëm për pushtet.
Mustafa në profilin e tij në Facebook ka dënuar dhunën e përdorur gjatë protestës së djeshme nga ana e protestuesve në drejtim të institucioneve të Kosovës, duke thënë se qytetarët duhet të refuzojnë vendosmërisht luftën për pushtet të partive opozitare.
Institucionet e Kosovës, forcat politike, shoqëria civile dhe akterët e tjerë përgjegjës për zhvillimet e shtetësisë dhe shoqërisë sonë nuk do të lejojnë që të krijohet Zajednica çfarë e dëshiron Serbia dhe çfarë po e propagojnë forca të caktuara politike për ta përdorur në luftën e tyre të papërgjegjshëm për pushtet. Kosova do të jetë e përgjegjshme që të realizojë obligimet e veta ndërkombëtare, në kuadër të forcimit të pozicionit të saj ndërkombëtar dhe forcimit të partneritetit strategjik euroatlantik dhe do të formojë një Asociacion të komunave me shumicë të qytetarëve serbë, të vendosur në harmoni me rendin ekzistues kushtetues dhe me udhëzimet e qarta të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka deklaruar ai.
Mustafa ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet ta refuzojnë vendosmërisht luftën për pushtet me primesa të dhunës e anarkizmit që shpie në destabilizim. Duhet të refuzojnë anarkizmin e prodhuar me koktej molotovi që shkuan aq larg sa ti japin flaken policit të Kosovës së pavarur, në detyrë të vet dhe në mbrojtje të rendit Kushtetues dhe ti japin flaken ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe të të rinjve demonstrantë. Kjo duhet të prek në ndërgjegjen dhe reagimin qytetar, është shprehur deputeti Mustafa.
Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë kthesën që kërkon shtetndërtimi: shteti ligjor, rrahja e vendosur e korrupsionit, rritja e investimeve në punësim dhe shanse të barabarta për qytetarët e Kosovës.