Mustafa: Vetëm LDK-ja e ka fuqinë për ta rrëzuar PDK-në nga pushteti
Istog, 13 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të martën në Istog se vetëm LDK-ja e ka fuqinë politike dhe përkrahjen e qytetarëve që në zgjedhjet e 8 qershorit ta rrëzojë Partinë Demokratike të Kosovës nga pushteti.
Kryetari Mustafa i bëri këto komente me rastin e kremtimit të 24 vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Istog.
Ne e kemi fuqinë, ne e kemi dijen, ne e kemi përkrahjen e qytetarëve, ne e kemi mobilizimin tonë që në këto zgjedhje që ta rrëzojmë nga pushteti PDK-në dhe aleatët e saj, dhe të instalojmë një qeverisje demokratike, një qeverisje në të cilin shqiptarët do ta kenë shumicën dhe do të punojë për interesa të të gjithë qytetarëve, ka thënë kreu i LDK-së.
Kishte iniciativa nga subjektet politike që tia shkurtojnë mandatin kësaj qeverie, por vetëm LDK-ja arriti që ta detyrojë atë që të votojë vetë për shpërndarjen e Kuvendit dhe t\'i organizojë zgjedhjet më 8 qershor. Ne ia kemi arritur këtë sepse jemi parti e fortë e shtrirë në gjithë territorin e Kosovës, e konsoliduar shkëlqyeshëm dhe e cila është e gatshme që ta qeverisë Kosovën, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se qeverisja e LDK-së në radhë të parë do të krijojë kushte për jetë, për zhvillim ekonomik, do të krijohen vende pune, do të mundësohet arsim i mirë për të rinjtë tanë, do të krijojë institucione të dinjitetshme shëndetësore, rend dhe ligj dhe do të plotësojë kushtet për integrim në BE.
Nga Istogu dua të konfirmojë se që nga fillim i vitit të ardhshëm do të kemi liberalizimin e vizave dhe gjithë këta të rinj dhe të reja të Istogut dhe gjithë Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza, sepse nuk ka asnjë kuptim që qytetarët tanë të ballafaqohen me kufizime të lirisë së lëvizjes, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se LDK-ja do ta bëjë ndryshimin e domosdoshëm tani në Kosovë, me mbështetjen e Istogut dhe gjithë Kosovës, për të marrë përgjegjësinë për ndryshime.
Sipas tij, suksese që ne kemi arritur flasim për mobilizimin e LDK-së. Nga Istogu e kemi Presidentin Rugova që i ka vënë themelet LDK-së dhe shtetit të Kosovës. Ne do ta ruajmë rrugën e trasuar nga Presidenti Rugova. Do ta ruajmë traditën e LDK-së, që respekton traditën, që respekton familjen, që respekton fenë, që respekton rininë, ka thënë ai.
Ai ka potencuar se deshëm apo nuk deshëm, ata që janë të prirur ta thyejnë ligjin, ata që e duan shtetin për interesat e tyre personale do të largohen nga pushteti, sepse LDK-ja do ta kthejë dinjitetin e shtetit të Kosovës, ne do ta rikthejmë ligjin në Kosovë, ne do ta kthejmë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre.
Ai i ka falënderuar të gjithë veprimtarët e LDK-së, që i kanë qëndruar besnik vizionit dhe partisë së krijuar nga Presidenti Rugova. Ai i ka falënderuar edhe kuadrot e reja që po bashkohen dhe po japin kontribut për LDK-në.
Ndërsa nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Istogut, Haki Rugova, ka thënë se Dega e LDK-së në Istog, është një nga degët më të fuqishme të LDK-së në gjithë Kosovën, e cila ka treguar rezultate të vazhdueshme në të gjitha periudhat, prandaj unë ndihem krenarë për këtë kontribut që nga dita e parë e themelimit të degës, para 24 viteve, në krye me ish-kryetarin e ndjerë të degës, z. Shaban Manaj dhe disa personaliteteve të tjera që nuk janë sot në mesin tonë.
Ai ka thënë se edhe z.Fadil Ferati i ndjerë, si kryetar i dytë i degës së Istogut ka dhënë një kontribut të madh për LDK-në dhe gjithë qytetarët.
Ne do të dëshmojmë se jemi të gatshëm që të përballemi me sfidat e ardhshme dhe jam shumë i sigurt se me zgjedhjet e ardhshme që na presim më 8 qershor, Dega e LDK-së dhe gjithë Istogu do ta japin kontributin më të mirë, që z.Isa Mustafa të jetë kryeministër i Kosovës dhe LDK-ja ta drejtojë qeverinë, ka thënë ai.