Mustafa u takua me një delegacion të kongresistëve të SHBA-së
Prishtinë, 20 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të kongresistëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përbërë nga Vern Buchanan, David Price, Adrian Smith, Dina Titus dhe Susan Davis.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe kongresistët amerikanë biseduan për proceset aktuale në Kosovë, për reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës në shumë fusha, mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe proceset integruese euroatlantike.
Kryeministri Isa Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po japin për Kosovën, në të gjitha fushat.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për fuqizimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimeve të gjithanshme me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës.
Duke folur për progresin që po arrihet në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa i njoftoi me agjendën e Programit të Qeverisë, e cila e ka prioritet kryesor zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe proceset integruese evropiane.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për procese tjera dhe dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Anëtarët e delegacionit të kongresistëve të SHBA-së vlerësuan lart progresin e arritur në Kosovë.
Ata theksuan përkrahjen e mëtutjeshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për avancimin e proceseve në Kosovë.
Kongresistët amerikanë gjatë takimit, u interesuan edhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe për klimën e investimeve në Kosovë.