20 Janar 2025

Mustafa, Thaçit: Bëje zemrën guri dhe ballafaqohu në debat

Prishtinë, 23 maj - Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka kërkuar përsëri ballafaqim televiziv Kryeministrit në largim Hashim Thaçi. Mustafa ka akuzuar liderin e PDKisë se po i përdorë asetet qeveritare dhe publike për të bërë fushatë, përfshirë edhe televizionin publik.

Mustafa e ka përsëritur kërkesën e tij për ballafaqim me Thaçin, një ditë pasi ky i fundit tha se do të ballafaqohej vetëm kur Mustafa të bëhet opozitar i fortë. Por këtë përgjigje Mustafa e konsideron përbuzëse dhe tinëzare.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Mustafës në Facebook.

Të dashur miq,

Ju e dini se i kam kërkuar përballje të drejtpërdrejtë kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, në mënyrë që publiku të gjykojë mbi platformat tona programore për qeverisjen e Kosovës në mandatin e ardhshëm. Thaçi po e përdorë Televizionin publik dhe asetet qeveritare, si të tija, si të ishin private dhe partiake, për të bërë fushatë. Askush nuk i thotë jo, sepse me falangën e tij e ka kapur shtetin. Ai është i pa konkurrencë në abuzimin e aseteve publike për të mashtruar qytetarët dhe për t’i përdorur si helmetë ndaj kundërshtarëve politik. Luksit me të cilin kryeministri në largim po bënë (para)fushatë do t’ia kishin lakmi liderët e shteteve më të zhvilluara. Ndërkaq, qytetarët e këtij vendi të varfër kanë të drejtë ta dinë origjinën e parave të luksit të tillë.

Ftesa ime ka qenë publike, civilizuese dhe e dinjitetshme, në frymën e filozofisë politike të LDK-së dhe të popullit të Kosovës. E përgjigja e tij, si gjithmonë, e lodhur, në fakt e lodh’t.

Në ditën që ka refuzuar të flasë dhe është përpjekur të fshihet përballë situatës së pakëndshme në të cilën e ka parë se e ka futur krejt shtetin, ai ka zgjedhur të flasë për debatin. Në stilin e tij, tinëz dhe me përbuzje. Ashtu siç ka qeverisur. Me votat e fituara tinëz, duke përbuzur qytetarët dhe duke e dërmuar Kosovën.

Sado që përpiqet ta fshehë, duke u munduar ta mashtrojë edhe veten, ai, sikur të gjithë në Kosovë, e din që ditët në krye të ekzekutivit kosovar i ka të numëruara.

Pasuesin e tij nuk do të mund ta zgjedhë ai, por do ta zgjedhin qytetarët e Kosovës. Ashtu sikurse do t’ia tregojnë peshën secilit prej garuesve në këto zgjedhje. Me sa po shihet, Hashim Thaçi, është pikëpyetja më e madhe nëse do ta ketë privilegjin për të qenë lideri i forcës më të madhe opozitare.

Nëse nuk e ka bindur rezultati i zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, le të presë edhe pak ditë. Do ta mësoj më 8 qershor në mbrëmje. Por, Hashim Thaçi e din mirë këtë. Prandaj, nuk ka guxuar të hyjë në garë me akronimin e subjektit të tij, pa prapashtesa. Ai dhe të gjithë e dinë se LDK edhe sot është subjekti me mbështetjen më të madhe të qytetarëve të Kosovës. LDK, më 8 qershor, Hashim Thaçit do t’ia japë pensionimin e parakohshëm politik, të cilin e ka merituar edhe më përpara.

Ndërkohë, nëse ndërron mendje dhe e bën zemrën guri, e pres në ballafaqim. Por, ballafaqim programi, platforme e vizionesh. Ai vështirë se pranon. Nuk ka çfarë të tregojë. Sepse s’ka as kompetencë profesionale e as kredi morale. E din që aty i çjerrët maska. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)