Mustafa takoi përfaqësuesit e Organizatës Fraksion +
Prishtinë, 10 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Organizatës Fraksion +, Ajnishahe Halimi, Fatos Aliu dhe Arben Gecaj.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa i njoftoi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit dhe integrimet euroatlantike.
Kryeministri Isa Mustafa i njoftoi në detaje për marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke shprehur përkushtimin për adresimin e mëtejmë të këtyre dy çështjeve në përputhje me vendimet e institucioneve kompetente dhe në mbrojtje të plotë të interesave madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.
Kryeministri Mustafa shprehu vendosmërinë e Qeverisë për të avancuar proceset demokratike, duke u bazuar në legjitimitetin dhe legalitetin e plotë institucional, me vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhje si dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Përfaqësuesit e Organizatës Fraksion +, Ajnishahe Halimi, Fatos Aliu dhe Arben Gecaj, folën për zhvillimet aktuale në vend, duke apeluar që të gjitha çështjet e interesit nacional në Kosovë të zgjidhen përmes dialogut ndërmjet subjekteve politike në institucionet e Republikës së Kosovës.
Ata vlerësuan se rruga institucionale dhe dialogu i hapur dhe demokratik janë alternativa e vetme, duke theksuar se nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë që temat e rëndësishme për vendin të shfrytëzohen si pretekste për pushtet, duke mos kursyer edhe përdorimin e mjeteve të dhunës.
Lidhur me zhvillimet e fundit, ata thanë se duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës dhe tendencave për të quar vendin në gjakderdhje dhe se dialogu transparent i brendshëm dhe ai i jashtëm janë të paevitueshme.
Gjatë takimit, ishte konkluzion i përbashkët se protestat e dhunshme dëmtojnë zhvillimet demokratike dhe tërë proceset tjera në Republikën e Kosovës dhe se ato nuk sjellin zgjidhje për shqetësimet reale të qytetarëve të vendit.
Po ashtu, të dy palët u pajtuan se dy temat e ngritura nga opozita si kauza për veprimet e dhunshme gjatë muajve të fundit, janë përdorur si pretekste populliste për të bërë përpjekje për rrëzimin e Qeverisë dhe ardhjen në pushtet.