Mustafa: Qosja një rrenc i madh
Prishtinë, 13 dhjetor - Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka reaguar ndaj shkrimit të akademik Rexhep Qosjes, rreth zgjedhjes së Mustafës si shef i qeverisë.
Postimi i plotë i Mustafës
Rexhep Qosja, qenka tmerruar katërmbëdhjetë herë që unë jam zgjedhur Kryeministër dhe që Z. Thaçi ma ka dorëzuar detyrën. Herën e pesëmbëdhjetë Qosja le të shkojë te psikiatri. Regjimi i Millosheviqit më ka ndjekur me padi penale dhe fletë arrest për cenim të integritetit territorial të ish Jugosllavisë dhe jam detyruar të dal e të jetoj 9 vite në ekzil, e Qosjen nuk e ka prekur askush në Prishtinë.
Një rrenc i madh, si Rexhep Qosja dhe vetëm një mendje e degjeneruar si e tij, mund të prodhoj vrasës, armiq, ashtu siç kanë prodhuar njerëzit e UDB-as jugosllave, e sigurimit shqiptar.
Me këtë logjikë Qosja kallte Shqipërinë në vitin 1997, dhe vazhdoi të sulmojë Ibrahim Rugovën e çdo bashkëpunëtor të tij. Kur shoh se sa i tmerruar është Qosja, mburrem dy herë më shumë që unë jam Kryeministër i Republikës së Kosovës, sepse nuk kam asgjë të përbashkët me te.